Sa Kohë Do të Duhet që COVID-19 të Largohet nga Shqipëria – Çfarë Thonë Mjekët

404 0

Mbyllja përfundimtare e çështjes COVID-19 ende ngre pikëpytje në mjediset shkencore kudo në botë.

Është ende e paqartë rruga që do të marrë pandemia në këtë pikë sipas tyre, ndaj kujdesi duhet të jetë i madh.

Gjithësesi disa kritere janë vendosur se kur kjo pandemi do të quhet e mposhtur.

Këtë e konfirmojnë ekspertë të huaj dhe Shqiptarë të cilët paraqesin dhe një afat të mundshëm kohor.

Fjala e mjekëve

Kurba e të infektuarve në Shqipëri po bie prej disa ditësh dhe në dukje ky padyshim është një lajm shumë i mirë.

Megjithatë ekspertët bëjnë thirrje të mos ulet asnjëherë vigjilenca e qytetarëve, por të rriten masat mbrojtëse pasi virusi ka ulur masën e transmetimit dhe jo egzistencën e tij në vend.

Ditën e djeshme në emisionin “Open” mjeku Pëllum Pipero, u shpreh se rastet në vend kanë pësuar rënie si pasojë e izolimit total dhe respektimit të masave nga qytetarët.

Sipas tij shenjat pozitive tregohen në shifrat e ulëta të të infektuarve në Shqipëri.

“Së pari kemi rënie të numrit të telefonatave të 127 me 2-3 herë, së dyti ulje të numrit të rasteve të shtruara, së treti rasteve që dalin nga spitali plus numri i rasteve pozitive, është rrjedhë logjike falë dhe masave të marra në kohën e duhur, shifrat janë kokëfortë, lëvizin me 5-6 numra në ditë, kjo javë, sipas meje, do kishte luhatje të shifrave, por në trendin rënës, besoj fort që java e tretë e prillit do fillojë sipas meje ulje e qëndrueshme e rasteve pozitive.”

A është e sigurt Shqipëria?

Sipas doktor Piperos vendi ka kaluar vetëm gjysmën e të keqes, megjithëse masat mund të fillojnë të lehtësohen.

Të moshuarit dhe të sëmurët kronikë sipas këshillës së tij, duhet të vazhdojnë izolimin më gjatë se të tjerët.

Shqipëria do të quhet se e ka mposhtur virusin vetëm 1 muaj pas raportimit të rastit të fundit, sipas këshillave të OBSH të cilave i referohet Pipero.

“Kjo pandemi do të paktën 4 muaj nga momenti i fillimit që të mbarojë” u shpreh Dr Pipero.

Këshilla për qytetarët

Doktori jep edhe një këshillë për qytarët, atë të larjes sa më të shpeshtë të duarve.
“E kam thënë e do ta them që me doreza apo pa doreza ne njëlloj e çojmë virusin në gojë në sy apo në hundë.” E rëndësishme sipas tij është larja e duarve sa më shumë dhe evitimi i prekjes së fytyrës dhe jo domosdoshmërisht përdorimi i dorezave.

Një tjetër lajm i mirë në lidhje me COVID-19 vjen nga Lezha ku janë shëruar rastet me koronavirus dhe deri ditën e sotëme nuk është shënuar asnjë i ri i infektuar./Agroweb.org