Koronavirus – Forcohen Masat e Sigurisë Ushqimore

233 0

Në kushtet e situatës aktuale ku vendi është prekur nga COVID-19, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka forcuar masat e mbrojtjes së sigurisë ushqimore duke kërkuar regjistrimin e operatorëve profesionistë, që do shërbejnë në gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore dhe hartimin e planit në funksion të parandalimit të përhapjes së infeksionit nga nëpunësit që janë të vetëpunësuar ose të punësuar në këtë fushë.

Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim një projektligj që synon të bëjë për herë të parë regjistrimin e operatorëve profesionistë që kanë aktivitet brenda territorit të vendit në lidhje me bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera, përkatësisht mbjelljen, shumimin, prodhimin, importin, eksportin, lëvizjen dhe vendosjen në treg të tyre.

Ligji i ri

Sipas projektligjit “Për mbrojtjen e bimëve”, ky regjistrim do të shërbejë si element kryesor në gjurmueshmërinë në situata të caktuara.

Ministria e Bujqësisë parasheh se nëpërmjet miratimit të këtij projektligji sigurohet baza ligjore për hartimin e disa akteve nënligjore në zbatim të tij, duke bërë të mundur zgjidhjen e problematikave të hasura me ligjin ekzistues, në importin e bimëve, produkteve bimore dhe në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e shëndetit të bimëve.

Sipas relacionit, me miratimin e këtij projektligji krijohen mundësitë për forcimin e sigurisë ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor sipas parimit “nga ferma në tavolinë”, me një rëndësi të veçantë për garantimin e shëndetit publik dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorit në përgjithësi. / Burimi: ATSH