Mbi 150 Ton Bimë Mjekësore Shqiptare u Eksportuan në SHBA e Gjermani në Mars

1k 0

Në bashkinë Malësi e Madhe, mbi 150 tonë bimë mjekësore janë eksportuar drejt tregjeve të SHBA-së dhe Gjermanisë vetëm gjatë muajit mars, ndërsa grumbullimi dhe përpunimi në këtë sektor vijon me po të njëjtin intensitet, në kushtet e masave kundër COVID-19.

Në vlerë eksportet e këtij sektori kapën shifrën e 324 mijë USD, vlerë kjo me trend pozitiv në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Malësinë e Madhe janë mbi 4,5 mijë hektarë të mbjella me bimë mjekësore. Ndërsa 4 qendrat e grumbullim përpunimit të bimëve mjekësore realizojnë të plotë të gjithë zinxhirin e shitjes sipas standardeve bashkëkohore, falë investime të realizuara nga mbështetja e programit IPARD.

“Qeveria vitet e fundit na ka ndihmuar shumë me makineri të reja sipas standardeve të kohës dhe po çojmë më tepër produkt në Gjermani dhe SHBA.

Rreth 60% në Gjermani dhe rreth 40% në SHBA. Gjithashtu ne punësojmë me qindra njerëz, që sigurojnë të ardhura të kënaqshme nga ky biznes, sigurisht këtë periudhe duke respektuar masat kundër COVID-19, me  doreza dhe maska”, – tha për ATSH-në, një sipërmarrës privat i këtij sektori nga Malësia e Madhe.

Lider në Prodhimin e Bimëve Mjekësore 

Qindra hektarë sipërfaqe e kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, e bëjnë Shqipërinë vend lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor, dukë përbërë 19% të eksporteve totale të vendit.

Pra është e qartë se tregu ndërkombëtar është i etur për bimët e egra natyrale të Shqipërisë me vlera të jashtëzakonshme medicinale.

Sipas të dhënave më shumë se 95% e bimëve mjekësore dhe aromatike të mbledhura apo të prodhuara eksportohen drejt vendeve të tjera.

Shqipëria Pjesë e 25 Eksportuesve Kryesorë

Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në botë.

Eksporti i bimëve mjekësore dhe aromatike është rritur dhe ka arritur në mbi 10 mijë ton, duke arritur gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,etj.

Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga bimët mjekësore dhe aromatike të egra që gjenden në të gjithë vendin.

Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike.

Më shumë se 400 specie janë identifikuar si bimë mjekësore dhe aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

Bimët mjekësore dhe aromatike janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i bimëve mjekësore dhe aromatike.