Osteoporoza është një sëmundje që kryesisht prek të moshuarit, megjithatë mjekët sqarojnë se humbja e dendësisë kockore mund të nisë që në të dyzetat.

Rimëkëmbja dhe rimodelimi i kockave është një proces i vazhdueshëm deri në të tridhjetat.

Ky proces arrin pikun e efikasitetit në rini dhe rreth moshës 30 vjeçare, trupi resht së shtuari dendësinë kockore.

Kur njeriu mbush 40 vjeç e më pas 50 vjeç, ai është më i rrezikuar nga frakturat.

Brishtësia e vazhdueshme e kockave nxit osteoporozën, një problem që prek më shumë gjininë femërore.

Pas moshës 50 vjeçare, gratë që kalojnë në menopauzë, kanë një shtat të imët dhe që pijnë duhan janë më të prirura të preken nga osteoporoza.

Si Mund Të Parandalohet Osteoporoza?

Studimet më të fundit mbi këtë sëmundje të cilave u referohet AgroWeb.org kanë vënë në pah rolin e probiotikëve për përmirësimin e dendësisë kockore.

Studimi i shkencëtarëve të Atlantas në Shtetet e Bashkuara analizoi rolin e suplementit Lactobacillus në shëndetin e kockave të subjekteve të marrë në studim.

Ekspertët zbuluan se probiotikët në fjalë, stimulonin bakteret e mira në stomak.

Ky stimulim shkaktonte një efekt zinxhir në prodhimin e një proteine jetësore për rritjen e kockave.

Kësisoj, shkencëtarët konfirmuan se probiotikët, pavarësisht misterit që i rrethon, kanë një ndikim pozitiv në strukturën e kockave.

Çfarë Janë Probiotikët?

Probiotikët janë një lloj bakteri i mirë që jeton brenda sistemit tretës dhe mban të balancuar florën intestinale. Ekuilibri i mikro organizmave prishet për arsye të caktuara, kryesisht falë stresit ose antibiotikëve.

Niveli i stresit që hasim çdo ditë është i lartë, ndërsa përdorimi i tepruar dhe abuzimi me antibiotikët është kthyer në fenomen.

4 Ushqimet e Pasura me Probiotikë 

Kosi dhe produkte të tjera të bulmetit

Kosi i prodhuar përmes një proçesi sa më natyral fermentimi të qumështit është një nga burimet më të mira të probiotikëve.

Veçanërisht nëse prodhohet në mënyrë natyrale me qumësht dhie, nuk përmban ëmbëlsues artificial dhe është i pasur me disa forma probiotikësh.

Po ashtu efikas është edhe Kefiri.

Lakra turshi

Lakra e fermentuar dhe llojet e tjera të turshive, janë jashtëzakonisht të pasura me vitamina A, B, C dhe E. Ato janë të mbushura me mikro organizma të shëndetshme.

Bananet dhe domatet

Edhe pse as bananet as domatet në të vërtetë nuk përmbajnë probiotikë, ato shkaktojnë lulëzimin e baktereve të mira në sistemin tretës.

Bananet dhe domatet përmirësojnë gjithashtu shëndetin e sistemit tretës./AgroWeb.org