Efektet e Gazit Lotsjellës – Trajtimet e Shpejta Natyrale 

518 0

Nisur nga kërkesa të shumta të qytetarëve pranë AgroWeb.org në lidhje me trajtimin natyral të efekteve të gazit lotsjellës dhe lehtësimin e problemeve të shkaktuara prej tij, më poshtë do të gjeni disa nga mënyrat e rekomanduara nga ekspertë mjekësorë lidhur me këto raste.

Djegia e syve, asfiksia, gjendje të fikti, bllokimi i frymëmarrjes, rrahje të shpeshta të zemrës, por dhe problemet me lëkurën janë disa nga simptomat e menjëhershme që përjetohen nga kontakti me gazin lotsjellës.

AgroWeb.org u referohet disa ekspertëve mjekësorë të cilët të kontaktuar nga BBC kanë dhënë disa këshilla të efektshme për mënyrën e trajtimit të shpejtë natyral në rastet e prekjes apo kontaktit me gazin lotsjellës.

Çfarë Duhet Të Bëni dhe Kujdesi Që Duhet Të Tregoni

Nëse jeni pranë në zone apo territori ku ka gaz lotsjellës apo ajri është i kontaminuar prej tij, ekspertët rekomandojnë mbajtjen dhe përdorimin e një fashe apo shamie të njomur në uthull molle apo lëng limoni.

Këtë shami apo fashë vendoseni për të mbuluar pjesën e hundës dhe gojës në mënyrë që ajri që thithni të mos depërtojë në organizëm.

Mundohuni të mbani sytë mbyllur derisa të kaloni zonën e kontaminuar me gazin lotsjellës.

Për pjesën e syve, AgroWeb.org ju këshillon se trajtimi më i shpejtë i rekomanduar nga ekspertët është shpëlarja e tyre disa herë në mënyrë të menjëhershëm me qumësht ose me ujë të ftohtë.

Theksohet se në rastin e përdorimit të ujit ai duhet të jetë shumë i ftohtë, nëse është i vakët apo i ngrohtë lëkura do të acarohet më shumë dhe djegia e syve gjithashtu.

Është e rekomandueshme gjithashtu bërja e një dushi me ujë të ftohtë, i cili do të ndihmojë në largimin e drobitjes së trupit dhe organizmit të shkaktuar nga efektet e gazit lotsjellës.

AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes të mos bëni dush të ngrohtë, pasi uji i ngrohtë do të hapë poret e lëkurës duke ndihmuar në përthithjen e përmbajtjes së kimike të gazit dhe duke përkeqësuar efektet e tij.

Kur Duhet të Shkoni në Spital për Ndihmë të Specializuar

Disa persona të cilët preken nga efektet e gazit lotsjellës përjetojnë asfiksi, gjendje të fikti, bllokim të frymëmarrjes dhe rrahje të shpeshta zemre.

Në të gjitha këto raste, AgroWeb.org këshillon se personi që përjeton këto simptoma duhet të drejtohet për ndihmë të specializuar mjekësore pranë spitalit apo ndihmës së urgjencës që ka më pranë./AgroWeb.org