La Emigracionin Për Të Hapur Biznesin e Ëmbël të Vreshtave në Shqipëri – Ku Gjeti Financimin dhe Frymëzimin

423 0

Ardit Sefa la emigracionin 8 vite më parë për t’u rikthyer me një synim të qartë në Shqipëri; kultivimin e vreshtave.

Vitet në emigracion dhe eksperiencën e fituar nga puna në vreshtat e Romës i shfrytëzoi për të hapur biznesin e tij.

Sot, 8 vite më vonë, Arditi drejton biznesin e tij me vreshta, në njësinë Allkaj në Lushnje, zonë bujqësore, e njohur për prodhimtarinë e saj.

Bëhet fjalë për rrushin e ëmbël të tryezës dhe atë që përpunohet për verën e rakinë më të mirë.

Sot nga vreshtat e familjes Sefa furnizohen shumë tregje në Shqipëri. Ai kultivon varitete të ndryshme rrushi duke plotësuar të gjitha kërkesat dhe preferencat e konsumatorëve. 

Frymëzimi nga Vreshtat e Romës – Financimi nga NOA

Pas kthimit nga Italia, Arditi i’u përvesh punës. Ai kishte të qartë planin e biznesit të tij por duhej më parë që bashkë kursimet që kishte të gjente financim.

“Një nga elementët kryesorë ishte gjetja e financimit. Pa të cilin nuk mund të bëja asgjë për të ngritur dhe zgjeruar biznesin tim.

Gjetëm lehtësi dhe mbështetje nga institucioni i financimit, NOA. Dhe këtu gjithçka mori kthesën e zhvillimit të vreshtave” shprehet Arditi për AgroWeb.

“Gjithçka nisi kur unë mora vendimin për t’u kthyer në Shqipëri. Nga puna në Itali kuptova rëndësinë e këtij biznesi ku dhe më erdhi ideja për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të ngritur aktivitetin tim.  U ktheva në Shqipëri dhe nisa punën.

Me financimin e duhur, Arditi dhe familja e tij arritën që brenda një kohe të shkurtër të dyfishonin sipërfaqen e mbjellë me vreshta.

Më shumë prodhim, më shumë zgjerim

Ideja për hapjen e këtij biznesi rezultoi e suksesshme.

Vreshtat dhanë prodhimin e duhur dhe ky i fundit gjeti tregun e tij duke bërë që Arditi të mendonte për shtimin e sipërfaqes së mbjellë.

“Sipërfaqet e para të vreshtave dolën të suksesshme. Prodhimi ishte i mbarë, me shije të mirë dhe kjo na ndihmoi të gjenim lehtë tregun. Duke parë kërkesën në treg dhe aftësinë tonë për të rritur kapacitetin, menduam për të shfrytëzuar sërish financimin.

Duke bashkëpunuar sërish me institucionin e financimit NOA, fituam një financim të dytë, falë të cilit sot kemi shtuar 24 dynym sipërfaqe me vreshta duke arritur në 4.2 hektarë” shprehet Arditi për AgroWeb.

I kënaqur nga puna dhe ecuria e biznesit të tij, Arditi thotë se ndoshta një ditë në të ardhmen, mund të zgjerojë aktivitetin e tij edhe duke prodhuar verë./AgroWeb.org