Lajmet e Këqija Në Media Ju Sëmurin – Ndikimi i Fshehtë Në Shëndet

239 0

Ndonëse ekspozimi ndaj një lajmi të keq është vetëm një e e shtypur e telekomandës larg, përmbajtja shpesh pa filtra e lajmeve, programeve televizive, filmave ka një ndikim të fortë në shëndetin psikologjik të njeriut.

Ndikimi vërehet tek humori, sjellja dhe mënyra e të menduarit.

Një anketë e ditëve të fundit e Institutit të Statistikave tregon se nëntë nga dhjetë shqiptarë ndjekin rregullish mediat, kryesisht televizionin.

Ky i fundit sipas ekspertëve është kthyer në një burim stresi për shkak të përmbajtjes jo vetëm të lajmeve që shkojnë përtej interesit publik, por edhe debateve politike që i ndajnë shqiptarët në dysh a në tresh.

Por televizori nuk është i vetmi burim stresi.

Rrjetet sociale janë gjithashtu një vend që gëlon nga informacione të vazhdueshme që nuk kanë të sosur.

Ato janë plot e përplot me lajme përdhunimesh, vrasjes, grabitjesh, korrupsioni, ndarjesh, tradhëtish e të tjera si këto.

Një anketë e kryer nga institucioni Pew të cilit i referohet AgroWeb.org konfirmon se ekspozimi i njerëzve ndaj ngjarjeve traumatike edhe në rrjete sociale është rritur ndjeshëm.

Si Ndikohet Truri Nga Lajmet e Këqija

Truri i njeriut është ndërtuar në mënyrë të atillë që të përpunojë stresin e shkaktuar nga një traumë duke u futur në një gjendje emocionale të fortë.

Kjo gjendje zakonisht duhet të zgjasë pak.

Por, sipas të dhënave të AgroWeb.org. ekspozimi i vazhdueshëm ndaj traumës mund të prishë aftësinë normale e të shëndetshme të njeriut për t’u qetësuar.

Kjo gjendje e vazhdueshme stresi që shkaktohet nga lajmet e këqija shpaloset me simptoma të rënda.

Njeriu është i lodhur që në mëngjes.

Ai është më i predispozuar të jetë në ankth dhe të preket nga depresioni.

Me larminë e lajmeve të këqija që njeriu merr çdo ditë, stresi mund të bëhet kronik.

Ai manifestohet me dhimbje koke, dhimbje muskujsh, probleme me tretjen, ankth dhe probleme me gjumin.

Si Të Fikësh Fluksin e Lajmeve të Këqija

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, ekspertët rekomandojnë vendosjen e një limiti kohor për lajmet televizive apo në rrjetet sociale.

Kjo është e domosdoshme për të qetësuar sistemin nervor.

Jini të vëmendshëm ndaj mbingarkesës emocionale pas dëgjimit të një lajmi në televizion apo një debati politik të ngarkuar me tone negative.

Kur të kuptoni që lajme apo ngjarje të ndryshme po ju ngarkojnë emocionalisht, fikeni televizorin, lëreni telefonin mënjanë dhe shkëputuni.

Lajmi mund të kalojë në televizionet e shumta të Shqipërisë apo në portale e rrjete sociale, por ai mund t’ju sëmurë.

Mos harroni të merrni ju telekomandën për mirëqenien e shëndetit tuaj./AgroWeb.org