Leonardo DiCaprio: Mos e Prekni Vjosën, Është i Vetmi Lumë i Egër në Europë

488 0

Thirrjes ndërkombëtare kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosa i është bashkuar dhe një nga aktorët më të njohur hollivudian, Leonardo DiCaprio.

Duke e cilësuar Vjosën si të vetmin lum të egër në Europë, në profilin e tij në Instagram, ku ndiqet nga 37 milionë njerëz, Di Caprio ka shpërndarë videon dhe tekstin e The Associated Press ku flitet për planet që shkatërrojnë rrjedhën natyrale të lumit Vjosa.

DiCaprio bën thirrje për ndaljen e planeve që masakrojnë këtë thesar të çmuar të Shqipërisë dhe Europës.

Fushata e nisur prej vitesh nga ambientalistë shqiptarë dhe të huaj për të mbrojtur lumin Vjosa në Shqipëri, ka tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, si dhe të shumë personaliteteve të njohura në botë.

Ndiqni më poshtë reagimin e plotë të DiCaprios në Mbrojtje të Lumit Vjosë

“Ky është lumi i fundit i egër në Evropë. Por për sa kohë?

Lumi Vjosa përshkon shpatet e mbuluara me pyje të maleve Pindi të Greqisë deri në brigjet e Adriatikut të Shqipërisë.

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur në lëvizje planet për të ngritur digë në Vjosë për të gjeneruar energji elektrike të nevojshme për një nga vendet më të varfëra të Evropës, me tetë diga të planifikuara për ndërtim përgjatë lumit.

Është pjesë e “bum”-eve të hidrocentraleve botërore, kryesisht në Azinë Juglindore, Amerikën e Jugut, Afrikë dhe në pjesë më pak të zhvilluara të Evropës.

Disa hidrocentrale, si një burim i besueshëm, i lirë dhe i rinovueshëm i energjisë që ndihmon në frenimin e varësisë nga karburantet fosile.

Por disa studime të fundit vënë në dyshim vlerën e hidrocentraleve në luftën kundër ngrohjes globale. Kritikët thonë se përfitimet e hidrocentralit janë të mbivlerësuara – dhe theksojnë dëmet që digat mund të sjellin.

Digat bllokojnë rrjedhën natyrale të ujit dhe sedimenteve. Ato gjithashtu mund të ndryshojnë kiminë e ujit dhe të bëjnë që algat toksike të rriten.

Lumenjtë janë një pjesë thelbësore e ciklit global të ujit. Ato veprojnë si arteriet e natyrës, duke mbajtur energji dhe lëndë ushqyese nëpër peizazhe të gjera, duke siguruar ujë për pije, prodhim ushqimi dhe industri” shprehet Leonardo DiCaprio në reagimin e tij.

Ekspertët Evropianë: Ndal Hidrocentralit mbi Vjosë!

Reagimet ndërkombëtare kundër ndërtimeve mbi lumin Vjosë kanë qenë të shumta dhe kanë bërë bashkë eurodeputetë, shkencëtarë dhe ambjentalistë të huaj në mbrojtje të lumit shqiptar.

Sipas të dhënave të AgroWeb, rreth 30 shkencëtarë nga universitetet më të njohura evropiane nga Austria, Gjermania, Sllovenia, së bashku me kolegë nga Shqipëria kanë zhvilluar kërkime studimore mbi lumin Vjosa, për të parë efektet që pritet te ketë ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit.

Profesor Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës, ka bërë thirrje disa kohë më parë për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit.

‘Para se të ndërtohet një HEC duhet të bëhen studime të ndikimit në mjedis. Këtu dëmet ekologjike do të ishin të mëdha, jo vetëm për sa i përket përmbytjes që do shkaktonte humbjen e florës dhe faunës në zonë, por do të ulte edhe nivelin e ujrave nëntokësor.

Vjosa është lumi i fundit, i egër natyror në Evropë. Dëmi do jetë edhe për gjeneratat që do vijnë’, tha Fritz Schiemer.

Alarmi për shkatërrimin e Vjosës edhe në Parlamentin Europian 

Kërkimet e shkencëtarëve janë shtrirë në 5 km gjatësi dhe 2 km gjerësi në afërsi tëfshatit Kutë, i cili sipas tyre mund të përmbytet nga rezervuari i digës, nëse HEC-i i Poçemit do të ndërtohet.

Në rezolutën e miratuar për Shqipërinë në vitin 2017 në Parlamentin Evropian, një paragraf i veçantë i kushtohet pikërisht përpjekjeve të shtetit për të ndërtuar një hidrocentral në lumin e Vjosës.

Parlamenti Europian ka këshilluar qeverinë shqiptare që jo vetëm të heqë dorë nga planet për ndërtimin e kaskadës në Vjosë, por për më tepër të krijojë Parkun Kombëtar të Vjosës.

Mrekullia 270 kilometra e gjatë Vjosës, e shtrirë nga malet e Pindit në Greqi në Detin Adriatik, rrezikohet nga ndërtimi i një dige 25 metra të gjatë që pa dyshim do të shkatërrojë një nga pjesët ekologjikisht më të vlefshme të lumit./AgroWeb.org