Masat anti-COVID në Evropë, ashpërsim në Çeki dhe Finlandë, lehtësim në Gjermani e Danimarkë

327 0

Forcat policore dhe ushtarake në Republikën Çeke ngritën 500 pika kontrolli në mbarë vendin, ndër më të prekurit nga coronavirusi në BE, duke shënuar me masa kufizuese 1-vjetorin e rënies së pandemisë.

Rreth 30 mijë efektivë u përfshinë në operacionin e paprecedent për të siguruar zbatimin e masave.

Në Finlandë, kryeministrja Sanna Marin njoftoi aktivizimin e kompetencave të emergjencës, teksa qeveria po bëhet gati të prezantojë masa më të rrepta kundër COVID-it.

 “Mbyllja e përkohshme e bizneseve që ofrojnë ushqime dhe pije synon të ndalë epideminë, bashkë me masat e tjera të miratuara. Situata e virusit është negative dhe po përkeqësohet, ndaj qeveria vlerëson se është jetike reduktimi i kontaktit fizik,” – u shpreh kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin.

Në Gjermani, qytetarët mbushën ditën e hënë floktoret, që rihapën dyert pas një mbylljeje 2-mujore. Bëhet fjalë për një hap drejt normalitetit, me vendin që dëshiron lehtësimin e kufizimeve, por edhe druhet nga variantet e reja të virusit.

Lëvizja erdhi pasi shkollat fillore u hapën një javë më parë, me vendim të kancelares Angela Merkel dhe guvernatorëve të 16 landeve.

Edhe Danimarka lehtësoi disa nga kufizimet, duke lejuar bizneset e vogla, përfshirë dyqanet, të rihapen në shkallë vendi. Por floktoret mbetën të mbyllura dhe fëmijët mbi klasën e katërt vijojnë të studiojnë nga shtëpia.

Ndërsa rastet e reja me COVID po rriten në veri të Italisë, ishulli i Sardenjës ka fituar statusin e “zonës së bardhë”, që lejon konsumimin e ushqimeve dhe pijeve në restorante dhe kafene, si dhe hapjen e palestrave, kinemave dhe teatrove pas disa muaj mbyllje./Burimi:Euro News