Mbledhja e Qeverisë Rama: Evitoni Ambientet Publike

701 0

Pak momente më parë kreu i qeverisë Shqiptare, Edi Rama mblodhi kabinetin e Ministriave për të diskutuar zhvillimet më të fundit mbi koronavirus COVID-19.

Në fjalën e tij Kryeministri trajtoi çështjen e mbylljes së çerdheve, kopshteve, shkollave dhe universiteteve.

Ai risolli në vëmendje se arsyeja kryesore ishte zbatimi i këshillës së OBSH për të evituar ambientet e mbyllura me shumë njerëz.

Ndaj dhe kërkoi përgjegjshmëri nga të rinjtë që këtë periudhë 2 javore të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kafenetë dhe lokalet.

Pika kyçe e parandalimit të përhapjes së kësaj epidemie është pikërisht ndërgjegjësimi i qytetarëve.

Duhet treguar kujdes që të ndiqen të gjitha këshillat e ekspertëve mjekësorë, për të qenë sa më të sigurt.

Kryeministri u shpreh se ‘tanimë Shqipëria është bërë pjesë e një luftë botërore kundër një armiku të panjohur’.

Në mes të kësaj lufte sipas tij, informacioni duhet të merret nga instancat zyrtare kështu do të ruhet serioziteti i situatës.

Rama pohoi se të gjithë institucionet shtetërore po marrin të gjithë masat e nevojitura të përshkruara nga protokolli në bashkëpunim me OBSH.

‘Qytetarët gjendet para një infodemie,’ u shpreh Kryeministri i vendit, duke e kthyer vëmendjen tek serioziteti i informacioneve.

Ai bëri thirrje për qetësi pasi deri tani të gjitha rastet e konfirmuara kanë qenë të importuara nga Italia.

Ministritë përkatëse kanë marrë hapat e duhur për përballimin e kësaj situate dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme.

Ai krahasoi situatën me shtetin fqinj, ku për momentin janë hapur vetëm farmacitë dhe marketet, dhe deklaroi se Shqipëria është shumë larg atij realiteti.

Mjafton që të gjithë të tregojmë kujdes, duke shmangur ambientet e mbyllura me shumë persona duke nisur nga kafetë e deri tek palestrat.

Kujdesi duhet të jetë nga të dy palët, pasi edhe qytetarët duhet të kufizojnë lëvizjet dhe të shtojnë kujdesin ndaj higjienës.

Gjithashtu të gjitha ambientet e Shërbimit të Qytetarëve do të mbyllen dhe të gjitha shërbimet do të kryhen online.

Përsa i përket restoranteve, kreu i shtetit deklaroi se do të vendosen më pak tavolina që qytetarët të kenë një distancë më të sigurt mes njëri-tjetrit.

Për të gjithë qytetarët që nuk zbatojnë këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë, do të ketë sanksione./AgroWeb.org