Mjeku Shqiptar në Itali – Fushatë për Donacione në Shqipëri

340 0

Heronjtë e ditëve të sotme padyshim janë mjekët, ata të cilët ndodhen në vijën e parë për të mposhtur këtë virus.

Të shumtë janë dhe të rinjtë shqiptarë të cilët punojnë në spitalet evropiane, por dhe jo vetëm. IntoAlbania ka kontaktuar spelializantin në Anestezi, Drilon Kamishin, i cili prej disa muajsh ndodhet në Genova, përveç se po mbyll specializimin e tij, aktualisht po trajton edhe rastet me Covid 19 në këtë qytet të Italisë.

Vështirësi dhe Forcë

Ndër të tjera për IntoAlbania ai ka theksuar se në rajonin e Ligurias janë rreth 1570 raste të konfirmuara dhe disa dhjetëra të cilët kanë humbur jetën. Duhet theksuar se Liguria është vendi më i prekur dhe numri i të infektuarve rritet çdo ditë .

Driloni thekson se “aktualisht situata është tepër e rëndë sepse rajoni Liguria është rajoni i pestë më i prekur në gjithë Italinë . Në repartin e terapisë intensive nuk ka më vende të mbetura, pasi reparti është i tejmbushur dhe pacientët të cilët kanë nevojë për terapi intensive mbahen në urgjencë apo pavione të tjera.

Rreth 70 % e stafit mjekësor është i kontaminuar ku një pjesë e tyre kanë pasur simptoma ndërkohë një pjesë tjetër jane asimptomatike. Në Genova tashmë është gati dhe një traget i cili është kthyer në spital vetëm për pacientët me Covid 19, pasi theksojmë që çdo spital tjetër është i tejmbushur duke e çuar sistemin shëndetësor në vend, drejt kolapsit .

Solidaritet për Mjekët Shqiptarë

Janë mbi 3000 veta staf mjekësor të prekur nga Covid 19, prej të cilëve 15 mjek kanë humbur jetën , një infermiere dhe 3 operatorë të 118 në gjithë Italinë . Mënyra e përhapjes së virusit është nga njeriu tek njeriu prandaj është e domosdoshme qëndrimi në shtëpi për të evituar përhapjen qoftë në popullatë, qoftë tek familjarët apo njerëzit e dashur.”

Pavarësisht se shërben në vendin fqinj, Driloni së bashku me katër studentë shqiptarë të Mjekësisë në Romë, Milano dhe Perugia, kanë krijuar një fushatë për mbledhjen e fondeve për QSUT-në dhe për strukturat e tjera spitalore rajonale dhe bashkiake, në mënyrë që të mbështesin dhe forcojnë menjëherë Njësinë e Kujdesit Intensiv dhe të sigurojnë: -më shumë pajisje mbrojtëse personale për të gjithë stafin, si edhe ventilatorë pulmonar. Për të gjithë që duan të vijnë në ndihmë sadopak mund të japin kontributin e tyre duke klikuar në këtë link.  /Nga:  IntoAlbania