Mungesa e Sigurisë Ushqimore – 19 Persona në Spital me Shenja Helmimi

391 0

Nëntëmbëdhjetë nxënës të një shkolle në Postribë të Shkodrës janë paraqitur në spital me shenja helmimi.

Sipas mjekëve, nxënësit janë paraqitur me simptoma marrje mendsh dhe të vjella, raporton BalkanWeb.

AKU dhe ISHSH-ja po hetojnë  për zbardhjen e shkaqeve.

Nga ana tjetër prindërit dyshojnë se fëmijët e tyre janë helmuar nga ushqimi dhe uji i një “fast food-i”, i cili ndodhet shumë pranë ambienteve të shkollës.

Bluzat e bardha theksojnë se 15 nxënës pasi kanë marrë mjekim janë larguar menjëherë drejt shtëpive, ndërsa katër prej tyre vijojnë të mbahen në mbikëqyrjen e mjekëve.

 Siguria Ushqimore

Shqipëria ka nivelin më të ulët të sigurisë ushqimore në Evropë. Banka Botërore në një raport të fundit thekson se ka një hendek shumë të madh midis nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit të vendit tonë.

Në artikujt e AgroWeb.org është trajtuar gjerësisht çështja e sigurisë ushqimore, qoftë për produktet vendase ashtu edhe për ato të importuara.

Raste si ai i mishit të Brazilit, orizit plastik apo perimeve a frutave të thata me aflatoksinë të bllokuara nga vende të BE-së, kanë marrë një vëmendje të madhe nga lexuesit.

Kujdesi

Në komentet e tyre ata kërkojnë që Autoritetet Kombëtare të Kontrollit të jenë më vigjilentë, pasi jo gjithçka duhet t’i lihet në dorë fermerit apo tregtarëve.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, Banka Botërore në një studim të fundit për statusin e Sigurisë Ushqimore në vendet në Zhvillim e ka renditur Shqipërinë të 6-tën në mesin e 90 vendeve nga e gjithë bota.

Kjo në lidhje me hendekun e kapaciteteve për të menaxhuar sigurinë ushqimore./AgroWeb.org