Ndryshon Sërish Skema e Subvencionimit të Qumështit

257 0

Ende pa u bërë një vit nga vendosja e subvencionimit me 10 lekë për litër qumësht, qeveria ka vendosur të ndryshojë sërish skemën për blegtorët.

Thuajse një vit më parë, fermerët në të gjithë vendin dolën në protestë për të kundërshtuar ndryshimin e skemës së TVSH-së së rimbursueshme nga 20% në 6%.

Më të prekurit duket se ishin blegtorët, të cilët nën “presionin” e grumbulluesve dhe përpunuesve do të duhet të ulnin çmimin e qumështit për litër.

Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në rrugë e hodhën prodhime të tjera në rrugë, ndërkohë që kërkuan tërheqjen e këtij vendimi nga qeveria.

Protestat e tyre duket se vunë në lëvizje Ministrinë e Bujqësisë, e cila gjeti si zgjidhje të problemit subvencionim me 10 lekë për litër qumësht.

Prej 1 prillit të viti që lamë pas fermerët do të përfitonin këtë subvencion duke dorëzuar faturat e shitjes së qumështit te grumbulluesit në Agropikën më të afërt, por që shitjet nuk duhet të kalonin 700 mijë lekët.

Skema e re e Subvencionimit në Bujqësi

Pa u bërë ende një vit prej vendosjes së kësaj skeme mbështetëse, zv Ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote, njoftoi në një intervistë për “Monitor Ekonomi” se do të ketë sërish një ndryshime.

Tanimë do të kalohej nga subvencionimi për litër qumësht në subvencionim për krerë bagëti.

“Vitin e kaluar ne bëmë një mbështetje prej 40 milionë lekësh për sa i përket skemës së qumështit me 10 lek për litër. Ndërsa tani atë sasi që merrte nga qumështi tani e merr nga regjistrimi i tufës, sipas matrikullimit”,- tha Ministri Kote.

Megjithatë ai shtoi se nuk i mbulojnë dot të gjitha fermat për arsye se kaq ofron buxheti, por rikujtoi si alternativë edhe skemën e IPARD-it që u jep shumë përfitim direkt fermerëve./Burimi: Monitor