Pas protestës së fermerëve, të cilët kundërshtojnë skemën e re të kompensimit të TVSH-së, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim, sipas të cilit parashikohet që qeveria të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi në një reagim për mediat.

Nuk ka ende një reagim nga fermerët në lidhje me vendimin e qeverisë.

Reagimi i Ministrit të Bujqësisë pas protestës së fermerëve

Në reagimin e tij, ministri Bledi Çuçi shprehet:

“Jam sot këtu për të komunikuar një vendim të rëndësishëm që morëm në mbledhjen e qeverisë. Eshtë fjala për pagesën që përfitojnë fermerët për qumështin e dorëzuar në pikat e përpunimit. Prej kohësh ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së.

Vendimi i miratuar sot vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%. Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur.  Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht.

Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 10 lekë për litër qumështi të shitur.

Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma.

Për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore.

Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 Prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët.

Kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%.

Po kështu, një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend”.

Protesta e Fermerëve

Fermerët e Lushnjes dhe Rrogozhinës pretestuan ditën e mëkurë, duke kundërshtuar ndryshimin e TVSH per prodhuesit e qumështit.

Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në rrugë e hodhën prodhime të tjera në rrugë, ndërkohë që kërkuan tërheqjen e ketij vendimi nga qeveria.

Protestuesit bllokuan aksin kryesor rrugor, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “nafta e traktorit tim e ka çmimin njësoj si nafta e benzit tënd”, “Ulje me 14 % të çmimit për fermerin” si dhe “Subvencionet në bujqësi në 2018 20 milionë euro, në 2019 vetëm 4 milionë euro”./AgroWeb.org