Sëmundjet tumorale në Shqipëri – Lloji Më i Përhapur Është Ai Që Prek Mushkëritë

745 0

Kanceri më i përhapur në Shqipëri mbetet ai i mushkërive. Gjatë vitit 2020 sipas ‘The Global Cancer’ janë identifikuar rreth 7000 persona me sëmundje tumorale, ndërsa rreth 4000 prej tyre kanë humbur jetën. Tek gratë dhe vajzat këtë vit kanceri i gjirit ka rezultuar më i përhapur se ai i mushkërive.

“Faktori i riskut kryesor sa i përket kancerit të mushkërisë është duhanpirja dhe ndoshta gratë kanë filluar të ndërgjegjësohen, ndoshta brezat kanë filluar dhe nuk janë më duhanpirëse si më parë dhe kjo reflektohet sigurisht edhe në shifra. Pavarësisht se duhan pirja është faktor predispozues edhe për kancerin e gjirit, po jo në të njëjtin nivel sa kanceri i mushkërisë”, thotë Kleida Mati, mjeke onkologe.

Gjatë periudhës së pandemisë sipas mjekes onkologe gratë dhe vajzat kanë kryer më pak teste depistuese.

“Pandemia ka ndikuar në të gjitha sëmundjet, po unë do thosha që ndoshta te kanceri mund të ketë ndikuar te testet depistuese. Në fakt, njerëzit kanë bërë më pak mamografi apo kolonoskopi dhe kjo do reflektohet në vitet në vazhdim”, shpjegon mjekja.

Më të rrezikuar nga sëmundjet tumorale janë personat mbi 55 vjeç. Për të shmangur llojet e ndryshme të kancerit është i nevojshëm një stil i shëndetshëm jetese.

“Le të themi dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik i cili është absolutisht shumë i rëndësishëm, duhanpirja që duhet shmangur me çdo kusht, mos pirja e alkoolit po edhe vaksinimi në këto kushte ku jemi”, shprehet mjekja Kleida Mati.

Të gjendur përballë rasteve në rritje të personave të prekur me kancer, specialistët në ditën kundër kancerit bëjnë thirrje për kryerjen e depistimeve para shfaqjes së simptomave./Burimi:EuroNews