Gëzuar Me Një Gotë Shqipërie

1.1k 0

Në biznesin e verës, dy njerëz kanë rëndësi: prodhuesi dhe shijuesi.

Për hir të së vërtetës shqiptarët, më tepër sa sa konsumatorë të mëdhenj të verës, njihen si ndër krijuesit më të vjetër të saj.

Gjurmët e traditës shqiptare të verëtarisë shkojnë deri në lashtësi, duke përkuar me ato të fqinjëve tanë italianë e grekë.

Po, verëtaria shqiptare është aq antike. Jo, nuk ka rënë vera në kokë që po e themi këtë.

“Shqipëria mund të pretendojë që të jetë djepi i vreshtarisë Evropiane”, shkruan Jancis Robinson në enciklopedinë e verës, “The Oxford Companion to Wine”.

Për të mos përmendur pastaj dokumentet historike që vërtetojnë kultivimin e vreshtarisë në Iliri, që në fillim të shekullit të tetë para erës sonë.

Pothuajse çdokush që ka shijuar një gotë të mirë vere shqiptare, ose akoma më mirë ka vizituar një vreshtari që e prodhon atë, ka fantazuar të paktën një herë që të hapë një biznes vere.

Sepse vera është jo vetëm një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës, por dhe se është një produkt që kërkohet gjithnjë e më shumë në treg.

Në vitin 1990, vreshtaria e Shqipërisë mbulonte diku mes 18 000 dhe 20 000 ha. Fermat shtetërore përpunonin më shumë se 40 000 ton rrush, përveç 30 000 tonëve që përdoreshin për konsum.

Toka është pikërisht çelësi i potencialit ekonomik të këtij sektori.

Por e kombinuar me teknologjitë e reja të prodhimit, atë të ruajtjes dhe procesit të vjetërimit të saj në mënyrë që vera jonë të bëhet sërish kompetitive dhe interesante.

Dhe jo vetëm në letër, por duke lënë gjurmë dhe shije në tregun global.

Shqipëria me meritë është një nga prodhuesit më të vjetër të verës në Evropë.

Nga Merloti tek Kabërneja, Tokai dhe Riesling, vera jonë e ka një përgjigje lokale autoktone për secilën nga këto emra të njohur ndërkombëtar.

Më të mirat e shtëpisë

Kallmet – Në lashtësi, Romakët e morën këtë varietet rrushi të zi në Hungari, ku u rrit për tu quajtur më pas Kadarka.

Verërat e kuqe që bëhen nga ky varietet rrushi është e thatë, e plotë, tonike.

Vlosh – Vlosh është një verë e kuqe nga varieteti i rrushit që gjenden në qytetin e Vlorës.

Nga ky lloj rrushi prodhohet një verë e plotë me nota të ullirit të zi dhe të kumbullës. Në shije vjen pak e thatë dhe e fortë, perfekte për entuziastët e këtij tipi vere.

Serine – Rrushi Serine është në varietetin e zi dhe të bardhë dhe ka nuance të shijes së vishnjave. Pjesa më e madhe e vreshtave që e kanë këtë lloj rrushi gjenden në zonën lindore të Korçës.

Puls/Pules – Edhe pse si traditë është përdorur në prodhimin e rakisë, ky varietet rrushi shumë popullor në Shqipëri, prodhon një nga verërat më të mira të bardha në vend. Ky lloj rrushi rritet në zonën e Beratit.

Shesh – Sheshi vjen në dy varietete: Sheshi i Zi dhe Sheshi i Bardhë. Këto varietete konsiderohen si më të rëndësishmit e vreshtarisë shqiptare, duke qenë se mbulojnë 35% të vjeljes së gjithë vendit me rrush.