OBSH: Deri në Mars të 2021-ës Mund të Kemi Vaksinën Kundër COVID-19

359 0

Një vaksinë kundër COVID-19 mund të jetë në dispozicion deri në mars të vitit 2021, gjë që së bashku me përparimet e tjera mund të ndryshojë thelbësisht rrjedhën e pandemisë, tha të hënën një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Bruce Aylward i tha asamblesë vjetore ministrore të OBSH-së se rezultatet e përkohshme nga prova e një vaksine ishin “shumë pozitive”.

“Ka ende shumë punë për të bërë, këto janë vetëm rezultate të ndërmjetme … por disa rezultate shumë pozitive që vijnë sot janë premtuese”, tha Aylward.

Vaksina e parë kundër koronavirusit mund t’i parandalojë mbi 90 për qind të njerëzve nga kontraktimi i virusit, tregon një analizë paraprake. Zhvilluesit e vaksinës – kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech – thanë se “kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin”.

Pfizer tha se vaksina e saj eksperimentale COVID-19 ishte më shumë se 90% efektive, duke rritur shpresën pasi pandemia përshpejtohet me mbi 50 milion raste dhe 1.2 milion vdekje.

Pfizer beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard deri në fund të vitit 2021.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus gjithashtu mirëpriti “lajmet inkurajuese të vaksinave” përmes një postimi në rrjetet sociale./Top Channel