OBSH: Pandemia e COVID-19 Po Përkeqësohet

358 0

Ekspertët në mbarë globin po paralajmërojnë një valë të dytë të COVID-19 në vazhdën e shifrave të larta të infeksionit që po raportohen çdo ditë që arrijnë me mijëra.

Ndonëse shifrat e rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 janë përmirësuar në disa vende të botës, rreziku i infektimit nga ky virus mbetet i lartë, madje po rritet.

Këtë e kemi vënë re jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.

OBSH numëron plot 100,000 raste infektimi me COVID-19 çdo ditë nga e gjithë bota.

Treçereku i këtyre shifrave vjen nga 10 vende, kryesisht në Azinë jugore dhe në kontinentin amerikan.

Sipas OBSH-së vendet më të prekura nga COVID-19 aktualisht janë Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Pakistani, Evropa lindore dhe Azia qendrore.

Numri total i të infektuarve me COVID-19 është 8 milionë ndërsa numri i viktimave ka arritur në 436,400.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të hënën se ndonëse kanë kaluar 6 muaj që nga shfaqja e virusit, asnjë vend i botës nuk e ka luksin të “heqë këmbën nga pedali i gazit”.

Sipas tij, me lehtësimin e masave shtrënguese, vendet e botës duhet t’i përqendrojnë forcat në identifikimin e rasteve të reja, izolimin dhe gjurmimin e kontakteve.

Disa vende kanë një infrastrukturë shumë të mirë e të tjera jo, shtoi ai.

OBSH Me Sytë Nga Pekini

Për shembull, Pekini po rivendos masa strikte dhe po ndërmerr testime masive pas shfaqjes së një vatre të re COVID-19 në një prej tregjeve ushqimore më të mëdha në qytet.

Në këtë vatër të hënën u regjistruan 36 raste të reja dhe që nga 12 qershori numri i tyre arriti në 79.

Pekini kaloi 55 ditë pa raste të reja dhe ky rikthim i virusit i ka trembur autoritetet.

Zyrtarët e qeverisjes vendore kanë vendosur të zbatojnë rregullat e emergjencës së luftës për të mbajtur nën kontroll situatën.

Kjo nënkupton kufizime të forta të lëvizjes, pezullime të aktiviteteve shkollore, mbyllje të tregjeve dhe ndalim të grumbullimeve.

Shqetësimet janë shumë të mëdha se mos kjo vatër e re është nisja e një vale të dytë, të cilës e gjithë bota i druhet shumë./AgroWeb.org