OBSH: Përhapja e varianteve Delta dhe Omicron po shkakton një ‘cunam infektimesh’

230 0

Qarkullimi njëkohësisht i varianteve Delta dhe Omicron të Coronavirusit po krijon një “cunami infektimesh”. Kështu deklaroi në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Delta dhe Omicron janë kërcënime binjake që po i çojnë rastet e infektimeve në nivele rekord, duke shkaktuar si shtrime në spitale edhe vdekje. Veçanërisht jam i shqetësuar se Omicron, që është tejet i transmetueshëm, po çon në një cunami infektimesh”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ghebreyesus përsëriti thirrjen e tij drejtuar vendeve të fuqishme që të garantojnë një shpërndarje më të barabartë me vendet e tjera të vaksinave.

Ai theksoi se, OBSH po lobon që çdo vend të arrijë objektivin e 70 për qind të popullsisë së vaksinuar brenda gjysmës së parë të 2022-shit, që do të ndihmonte në tejkalimin e fazës akute të pandemisë.

Sipas ekspertëve, faza në fjalë mund të përfundojë vitin e ardhshëm, por kjo nuk do të thotë se Coronavirusi do të zhduket.

Mbi 281 milionë persona në rang global janë prekur nga COVID-19 që nga rënia e pandemisë dhe mbi 5 milionë të tjerë kanë humbur jetën./Burimi: EuroNews