Zënë Gjysmën e Territorit – Sa Kanë Qenë Investimet Për Pyjet në 21 Vite

384 0

Gati gjysma e sipërfaqes se vendit është e mbuluar me pyje, por qeveritë shqiptare nuk i kanë kushtuar gati aspak vëmendje kësaj pasurie natyrore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga viti 1998 deri në vitin 2019 buxheti i shtetit ka investuar për mirëmbajtjen dhe shtimin e fondit pyjor rreth 2,3 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro. Për 21 vite qeveritë tona kanë investuar më pak se 1 milionë euro në vit për fondin pyjor, ndërkohë sipas të dhënave nga INSTAT fondi pyjor u pakësua nga 2015 në vitin 2020 më tej në numër rrënjësh.

Përgjatë dekadës në vijim modelet ekonomike synojnë zhvillimin e qëndrueshëm, i cili do të ketë në themel mbrojtjen e mjedisit, shtimin dhe mirëmbajtjen e pyjeve bazuar ne prodhimin qarkullues. Donatorët dhe qeveritë do të duhet të orientojnë fondet nga mirëmbajtja e pyjeve që po kanosen ndër të tjera nga urbanizimi i pakontrolluar dhe zjarret që po nxiten nga temperaturat e larta.

Deri në vitin 1990, buxheti total vjetor i Drejtorisë pyjore arriti në shumën rreth 30 milionë USD, nga të cilat rreth 10 milionë USD u akorduan për menaxhimin e pyjeve. Në vitin 1992, pas shkëputjes të sektorit të përpunimit të drurit nga kjo Drejtori, buxheti vjetor u ul në nivlin rreth 3 milionë USD dhe mbeti e tillë deri në vitin 1995. Me tej përgjatë viteve investimet nga buxheti i shtetit ishte gjithnjë e më i vogël për fondin pyjor.

Një studim i Qendrës Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore e Lindore (REC) tregon se Fragmentimi i kompetencave për emërimet dhe lirimet nga detyra, mungesa e kritereve dhe rregullave të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe mbi të gjitha politizimi i shërbimit pyjor, kanë krijuar një administratë jo profesionale dhe të paqëndrueshme dhe të aftë për të menaxhuar këtë pasuri natyrore.

Studimi referon se për gjatë 7 dekadave, prerjet e lëndës drusore në fondin pyjor, kanë qene mbi mundësinë normale të shfrytëzimit, duke shkelur parimin themelor të mbarështimit të pyjeve, atë të vijueshmërisë së prodhimit.

Vazhdimisht është pretenduar për respektimin e këtij parimi, ose mbarështimin e qëndrueshëm të pyjeve, slogan që ka zënë vend gjerësisht në legjislacionin e pyjeve dhe në të gjithë dokumentet zyrtarë, të këtyre 20 viteve të fundit, por faktikisht ndodhemi para një fakti dramatik pasi fondi pyjor është pakësuar në mënyrë drastike.

Gjendja aktuale e tij, është pasqyrë dhe rezultat i politikave dhe programeve qeverisëse të periudhës së tranzicionit, veçanërisht, të atyre të 10 vjeçarit të fundit. Përballë mungesës së politikave, moszbatimit të strategjive dhe projekteve konkretë, pyjet janë pranuar si “alternativa” me kostot më të ulëta momentale, për mbijetesën, zbutjen e varfërisë dhe migrimin e banorëve të zonave rurale si dhe për krijimin e vendeve të punës në industrinë e përpunimit të drurit.

Gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare, kostot që kanë paguar pyjet janë më të mëdhatë, në të gjithë historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Në dekadat që do të vijnë, kostot që do të paguhen, do të jenë shumë herë më të mëdha dhe me pasoja të rënda, afatgjata e shumëplanëshe./Burimi:Monitor