Pandemia, Shumë Individë dhe Familje Pësuan Ulje Dramatike

170 0

Raporti i publikuar nga Bashkimi Europian, Eurofound (2020), “Covid-19: Përgjigjet e politikave në të gjithë Europën” përmbledh masat e marra nga vendet anëtare të BE-së për krizën e krijuar nga pandemia.

Dokumenti analitik nënvizon se në përgjigje të situatës nga Covid-19 rreth një e dhjeta e iniciativave dhe politikave të zbatuara nga vendet e BE-së ishin për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të biznesit dhe marrjen e shërbimeve kryesore (11%), si dhe parandalimin e vështirësive sociale (9%). Pjesa më e madhe e këtyre iniciativave që synonin mbajtjen në këmbë të sipërmarrjes u zbatuan nëpërmjet dhënies të pagesave në formën e grandeve të pakthyeshme, kryesisht për të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla.

Dhënia e pagesës në formën e grandit ishte për t’u mundësuar vazhdimin e pagesave të kostove operative, si për qira, shërbime komunale, etj. Pas këtyre iniciativave, u zbatuan nismat e dhënies të ndihmës financiare, si: kredi për biznesin me norma të ulëta interesi përmes garancive bankare të mbështetura nga shteti, shtyrjen e pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore, taksat dhe pagesat e huasë.

Ndihmat 

Në mbrojtje të punësimit, vendet e Bashkimit Europian përqendruan 70% të masave mbrojtëse për angazhimin në punë me orar të shkurtuar.

Një tipar tjetër domethënës i përgjigjes së politikave ndaj Covid-19 ka qenë shtrirja e masave në mbrojte të ardhurave për grupe që nuk janë mbuluar më parë ose janë mbuluar vetëm pjesërisht, siç janë të vetëpunësuarit, punëtorët me kontratë me orar të pjesshëm dhe punonjësit që ishin të detyruar të karantinoheshin.

“Pavarësisht miratimit të gjerë të masave të mbrojtjes së të ardhurave, shumë individë dhe familje pësuan ulje dramatike të tyre dhe në përpjekje për ta trajtuar këtë situatë, u prezantuan masa për shtyrjen e pagesave të qirave dhe kredive.

Shpejtësia dhe natyra dramatike e fillimit të krizës nënkuptonte që iniciativat për të mbrojtur ose shtyrë pagesat e qirasë ose kredisë për shembull, janë bërë një rrugë shpëtimi për shumë familje, të ardhurat e të cilave ranë në mënyrë dramatike brenda ditës”, citohet në raport.

Një sondazh i zhvilluar në fillim të muajit prill nga Eurofound evidentoi situatën e zymtë të krijuar nga Covid-19.

Nga rezultatet e sondazhit 38% e të anketuarve raportuan se gjendja e tyre financiare ishte përkeqësuar dhe 47% e tyre raportuan vështirësi në pagesa (një shifër që rritet deri në 87% duke përfshirë edhe të papunët).

Midis tyre, afër 30% e individëve kishin krijuar detyrimi të prapambetura nga faturat, 22% kishin detyrime të prapambetura nga qiratë dhe kredia, ndërsa një e pesta e të anketuarave kishin frikë për akomodimin për shkak të borxheve nga qiraja, edhe pse shumë masa u adresuan ndaj të pastrehëve dhe punonjësve me paga të ulëta.

Sektorët e prekur

Një e katërta e politikave me masa për shtyrjen e qirasë dhe kredive, u përqendruan edhe të sektorët më të prekur të ekonomisë, si: turizmi, transporti, artet dhe argëtimi.

Nisma të tilla synonin rritjen e likuiditetit të bizneseve dhe të fuqisë punëtore në mënyrë specifike për sektorin e shëndetësisë, ku kërkesa për këto shërbime u rrit ndjeshëm.

“Masat e mbështetjes e marrë nga shtetet anëtare synonin minimizimin e ndikimit të pandemisë te bizneset, të punësuarit dhe qytetarët.

Nga vendet e BE-së, përveç masave për të mbështetur sistemet kombëtare të kujdesit shëndetësor dhe krijimin e programeve të koordinuara të kërkimit që kërkojnë trajtime efektive për Covid-19 dhe nxitjen e bashkëpunimit për zhvillimin e një vaksine, një paketë masash është miratuar në mbrojtje të vendeve të punës dhe bizneseve.

Ato përfshinë lehtësimin e rregullave për përfitim të ndihmës shtetërore të BE-së dhe lejimin e fleksibilitetit në zbatimin e ligjeve fiskale nga qeveritë, me qëllim sigurimin e likuiditetit bizneset dhe ruajtjen e vendeve të punës.”

Për të zbutur pasojat e krizës nga Bashkimi Europian në fillim të prillit 2020 u miratua paketa e shpëtimit me vlerë 540 miliardë euro.

Kjo paketë përfshinte edhe një Fond Garancie pan-europian të krijuar nga Banka Europiane e Investimeve, me vlerë 200 miliardë euro për financimin e kompanive të vogla dhe të mesme dhe krijimin e një fondi të ri deri në 100 miliardë euro për të mbështetur shtetet anëtare që zbatojnë skema për të punuar me orar të shkurtuar në përpjekje për të mbrojtur vendet e punës.

Për të zbutur rreziqet e papunësisë, në rast urgjence, më 19 maj u miratua një tjetër masë, e njohur si mbështetje “e sigurt” për financimin me hua me kushte të favorshme për vendet e BE-së që po përballen me një rritje “të papritur dhe të ashpër” të shpenzimeve për skema të tilla.

Gjithashtu u miratuan masa specifike në mbështetje të sektorëve të caktuar, siç ishte turizmi që u godit më tepër nga pandemia. Më 27 maj 2020, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen njoftoi planet për të marrë hua 750 miliardë euro për të mbështetur përpjekjet e rimëkëmbjes në BE./Monitor