Përfitues të subvencioneve nga AZHBR për 4 vite – Ferma e Bletëve Shtohet me 1000 Koshere

723 0

Flora dhe Dritan Hoxha nga Kavaja, prej kohësh me profesion bletërritës, e kanë nisur aktivitetin me 10 koshere bletë dhe sot kanë 1000 koshere, janë mbështetur vazhdimisht edhe nëpërmjet skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi dhe blegtori.

Flora shprehet shumë e kënaqur me ecurinë e biznesit të saj që është rritur këto vitet e fundit falë mbështetjes që ka marrë nga subvencionet që jep qeveria.

“Kemi 4 vite që aplikojmë pranë AZHBR dhe kemi marrë mbështetje financiare sipas skemës për 150 koshere”- thotë Flora, teksa tregon se, “sot e ka rritur në 12 numrin e parqeve me bletë”.

Nga ferma e bletëve ajo prodhon një sërë produktesh bazë që janë mjaft të kërkuara nga tregu si propolis, poleni, qumështin e bletës e sigurisht mjaltin. Ndërsa synon të zgjeroj biznesin edhe në fushën e përpunimit drejt një cikli të mbyllur që i siguron më shumë të ardhura dhe më shumë të punësuar.

“Ne prodhojmë gati 3 kg qumësht blete në vit dhe gjatë 2020 kemi pasur kërkesë të lartë nga tregu për këtë produkt me veti të radha kurative për shëndetin”- tha Flora.

Dëshira e të dy bashkëshortëve është që sektori të përmirësohet dhe puna e ngritur të mbetet trashëgimi te djali i tyre, i cili ka premtuar vazhdimësinë e aktivitetit.

Mbështetja për bletarinë me fonde publike është shumëfishuar ndjeshëm në 7 vitet e fundit.

Numri i bletarëve që kanë përfituar subvencione në vitin 2020 është rritur në 1458 fermerë kundrejt 275 bletarëve përfitues që shënohen në vitin 2013.

Në këto vite qeveria ka rritur fondet publike në mbështetje të këtij sektor në shumën e 163 milionë lekëve në vitin 2020 kundrejt totalit 19.2 milionë lekë që ishte në vitin 2013.

Ndryshimi është si nata me ditën. 100% e bletarëve që aplikuan në 2020 në portalin e-Albania kanë përfituar subvencionet.

Gjatë vitit 2020, AZHBR implementojë masën mbështetëse për bletarinë, për koshere të regjistruara.

Masa 2 e Skemës Kombëtare financon mbarështim të bletarisë me 1000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.

Biznesi i bletarisë dhe prodhimit të mjaltit e nënprodukteve të tij në Shqipëri po shënon rritje nga viti në vit.

Një zhvillim tjetër pozitiv për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën. Bletarët e shohin këtë si një mundësi të madhe që duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me rritjen e prodhimit vendas dhe eksportet.

Mjalti është një ushqim i rëndësishëm ai nga përmban të gjitha amino acidet kryesore dhe vitaminat B, C, D dhe E, duke na dhënë të gjitha vlerat ushqyese për të cilat trupi ynë ka nevojë./Burimi:Atsh