Temperaturat janë ulur ndjeshëm në të gjithë Shqipërinë, duke favorizuar përhapjen e viruseve.

Instituti i Shëndetit Publik, u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes, për të shmangur rrezikun e prekjes nga gripi.

Grupmoshat të cilat rrezikohen më tepër për t’u prekur nga gripi, janë fëmijët dhe të moshuarit, për të cilët këshillohet që të shmangin sa më shumë ekspozimin në temperatura të ulëta.

Kjo pasi gjatë ditëve të ftohta organizmi dhe zemra duhet të punojnë më shumë për të përballuar efektet e të ftohtit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, të qëndruarit gjatë në të ftohtë bën që temperatura trupore të bjerë nën 35° C, duke bërë që me kalimin e kohës organizmi të mos funksionojë më siç duhet.

Ndërlikimet e shpeshta të shkaktuara nga i ftohti:

Sipas të dhënave të ISHP, të cilave u referohet AgroWeb.org, si shkak i të ftohtit mund të shfaqen ose të përkeqësohen një sërë sëmundjesh si më poshtë.

Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve apo mushkërive.

Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.

Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.

ISHP këshillon që për t‘u mbrojtur nga virozat e ndryshme të stinës së ftohtë, të gjithë personat me faktorë risku (përveç foshnjave nën 6 muajsh) duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti. 

Nëse sëmureni:

Përdorni medikamente për të ulur temperaturën – Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes.

Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, bli, etj dhe ajrosni herë pas here ambientet.

Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule), fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve.

Disa ushqime me veti anti- inflamatore apo anti-mikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare, janë: xhenxhefili, mjalti, hudhra, qepa, limonët, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët.

Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë.

Mos përdorni antibiotikë, pa këshillën emjekut.

Në rastet kur temperatura vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes.

Për këtë duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.

Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma, etj, nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara duke përdorur dorashka, shall, kapuç,etj

Mjekët këshillojnë të visheni mirë, të evitoni daljet herët në mëngjes dhe në darkë vonë.

Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi./AgroWeb.org