Pranvera e Dytë Risjell Shalqi të Ëmbël në Treg

996 0

Përgjithësisht në Shqipëri, Qershori, Korriku dhe Gushti mund të quhen ndryshe Muajt Kombëtarë të Shalqinit, këtij fruti të kuq dhe të ëmbël, shija perfekte e freskisë.

Por klima e ngrohtë e këtij viti ka bërë që të kemi ende shalqinj të mirë, prodhim totalisht vendi në treg.

Nëse keni parë një prani të pazakontë të shalqinjve dhe pjeprave në treg nuk ka asgje për t’u habitur, përkundrazi. Jo vetëm shalqinjtë, por edhe pjeprat e kësaj vjeshte janë nga më cilësorët.

Fermerët shpjegojnë për AgroWeb.org se ka qenë moti i ngrohtë pranveror i muajve të parë të vjeshtës që ka bërë që të kemi ende prodhim të shalqinjve dhe pjeprave të vonshëm.

Kultivuesit Ruzhdi Koni dhe Ristan Janko, së bashku me Ndriçim Hysën tregojnë madje me krenari prodhimin e bollshëm dhe cilësor të shalqinjve të këtij tetori në Divjakë, rritur në kushte krejtësisht natyrale dhe përkujdesin e duhur organik.

Shalqini është padyshim fruti më i konsumuar në Shqipëri ndjekur nga pjepri dhe vedeni.

Shalqini i rritur në Shqipëri nuk ka të krahasuar në aspekt shijesh dhe vlerash me asnjë nga zonat e rajonit.

Zonat e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës janë kampionë të prodhimit të shalqinit në Shqipëri.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka prodhuar plot 221,628 ton shalqinj nga fushat dhe 1044 ton nga serat.

Prodhimi vjetor i Lushnjës arrin në 81, 804 ton ndjekur nga Shkodra me 22,779 ton.

Nga e majta, kultivuesit Ristan Janko, Ndriçim Hysa dhe Ruzhdi Koni tregojnë prodhimin e bollshëm dhe cilësor të shalqinjve të këtij tetori në Divjakë. Foto: WebLibrary

Cilësia e Lartë rrit Eksportet e Shalqinjve

Në vitet e fundit, fermerët shqiptarë kanë eksportuar afërsisht 23.000 ton shalqi në vit, kryesisht në Ballkan por edhe në tregjet e Bashkimit Evropian, të cilat janë dhe tregjet më atraktive për këtë produkt.

Vendet evropiane që janë importuesit më të mëdhenj të shalqinit, janë Gjermania, Franca dhe Britania. Kjo pasi në këto vende ky frut nuk mund të prodhohet, për shkak të temperaturave të ulëta. Por nuk mbeten pas dhe Lituania dhe Çekia.

Tregu rajonal i Ballkanit aktualisht dominohet nga eksportet shqiptare të shalqirit. Pothuajse gjysma e të gjithë eksporteve shkojnë në Kosovë dhe Serbi.

Vende të tjera ku Shqipëria ka qenë e suksesshme në eksport përfshijnë Malin e Zi, Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë, dhe Kroacinë.

Shqipëria është prodhuesi i katërt më i madh me shalqi pas Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës.

Fakte mbi vlerat e shalqinit

Shalqini ka më shumë likopen se domatet. Likopeni është një antioksidant i fuqishëm që i jep frutave ose perimeve atë ngjyrën e bukur rozë ose të kuqe.

Lëngu i shalqinit çliron nga dhimbjet e muskujve.

Ju mund të hani farat dhe cipat e bardha e shalqinit Lëvorja e shalqinit përmban shumë elementë ushqyes të shëndetshëm që i bëjnë mirë gjakut.

Shalqini është pothuaj i gjithi ujë E dini të gjithë ndoshta, por bëhet fjalë për një të dhënë interesante. 91 % e shalqinit është ujë, që ju mban të hidratuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.