Problemet e Fermerëve Me Kultivimin e Domates

868 0

Disa qindra fermerë në Qarkun e Fierit dhe Beratit po e hedhin prodhimin e domates këtë vit për shkak se sipas tyre fara ka sjellë probleme. Një pjesë e madhe e fermerëve kanë investuar në sera duke marrë kredi dhe kjo e bën më të vështirë situatën e tyre.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, problemet me prodhimin e domates në disa ferma të Roskovecit dhe Beratit, nuk kanë ardhur si pasojë e farave, por e ndryshimeve klimatike dhe kohës në mbjelljen e farës.

Disa qindra kilogramë domate, Berti Agaçi, një fermer në Sukë të Fierit, i ka hedhur jashtë serës pasi janë jashtë standartit për t`u konsumuar. Tek punon me bashkëshorten në pjesën tjetër të serës ai thotë se fidani i domates ka pak rrënjë dhe nuk arrin të ushqejë frutin i cili çahet dhe kalbet. Një tjetër problem sipas tij është se bima prodhon shumë pak kokrra.

Dhjetëra fermerë në këtë zonë janë në të njëjtat vështirësi. Ata thonë se fermerët që kanë mbjellë në sera kultivarin “Ozgan” të domates të cilin e kanë marrë në farmacitë bujqësore, prodhimi i domates u është prishur dhe rrezikojnë të falimentojnë pasi serat i kanë ngritur me kredi. Duket se zona më e prekur është Stamatica e Beratit ku pjesa dërmuese e fermerëve merren me serat e domates. Myfarete Dylja thotë se kultivimi i domates është i vetmi aktivitet që ata krijojnë të ardhura:

“Pothuajse të gjithë këtu tek ne vetëm me sera merren. Punojmë si familje me domatet, do ushqejmë fëmijët”.

Myfaretja thotë se këtë vit nuk arritën të merrnin as shpenzimet e tyre.

“Dëmi është shumë i madh. Ne as shpenzimet që hodhëm nuk morëm këtë vit, dolëm me minus. Edhe në fshat ku mbi 90% merren me domate u dëmtuan shumë. Ata të gjithë i kanë bërë serat me kredi”.

Ndërsa Ermal Çela thotë se cilësia e prodhimit këtë vit erdhi nga fara jo e mirë.

“Bimët nuk kanë rrënjëzim dhe disa prej kokrrave çahen pa u pjekur ndërsa në pjesën e sipërme bima nuk arrin të lidhë kokrra të reja”, thotë ai. Ermali tha se u këshillua me agronomët të cilët ia vunë fajin farës.

Vetë Ermali e ka ngritur fermën e tij me kredi, si pothuajse të gjithë fermerët në këtë fshat, dhe tani është në pozitë të vështirë.

“Unë jam vetë me kredi , s`kam çfarë të flas për të tjerët. Të gjithë janë me kredi këtu në fshat pasi nuk e bën dot serën pa kredi. Një dynim serë vete 15 milionë lekë pasi është rritur çmimi i hekurit”.

Edhe Edmir Çela thotë se kërkohet mbrojtje nga shteti pasi ai është përgjegjës për kontrollin si të farërave edhe të imputeve bujqësore që hyjnë në Shqipëri.

“Në të gjithë botën shteti e mbron fermerin. Këtu tek ne është lënë në mëshirë të fatit, të themi. Jemi në dorë të zotit. Edhe ato pak subvencione janë dhënë në dy tre veta dhe nuk janë të mjaftueshme të përballojmë punën tonë. Edhe atë pak prodhim që e kemi prodhuar nga kultivarët e tjerë të domates që kemi mbjellë e kemi shitur me çmim të ulët”.

Ministria e Bujqësisë tha pak kohë më parë se ishte në ndjekje të vazhdueshme të shqetësimit të ngritur nga disa fermerë, kultivues të domates për probleme të prodhimit nga kultivari “Ozgan”. Ministria tha se grupe të specialistëve bënë verifikimet e nevojshme dhe panë situatën në terren. Ministria njoftoi edhe një raport të përgatitur nga ekspertë të fushës sipas të cilëve problemet e shfaqura me prodhimin e domates në disa ferma të Roskovecit dhe Beratit, nuk erdhën si pasojë e farave të bimëve. Sipas raportit, analizat që u kryen në 2 laboratorë brenda dhe jashtë vendit për farën “F1 Ozgan” nxorrën të njëjtin rezultat, se fara nuk ishte shkaktare për mungesën e prodhimit. Pas monitorimeve në terren, specialistët veçuan ndër faktorët kryesorë të situatës ndryshimet klimatike dhe afatin e mbjelljes së farës, thuhet në raport./Burimi:Voa