Profesionet që Do të Paguhen më Shumë në 2020 – Të Dhënat për Shqipërinë

466 0

Viti 2020 nis me më shumë shpresa për këdo.

Shpresa për një punë më të mirë, për më shumë të ardhura, për rritje në detyrë, avancim në karrierë.

Duket e vështirë në një ekonomi që po rritet shumë ngadalë (2019-a pritet të mbyllet me një zgjerim prej më pak se 3%), apo ku hyrjet e kompanive të huaja novatore mungojnë, por gjithsesi janë disa sektorë ku kërkesa për punonjës është e lartë dhe pagat e premtuara gjithashtu.

Por, mos prisni shumë, pasi kërkesat më të mëdha, ashtu si në 2019-n, pritet të jenë për profesione të tilla si punonjës krahu, punonjës shërbimi apo punonjës shitjesh në terren.

Kush do të paguhet më shumë

Për punonjësit e krahut, paga maksimale është deri në 40 mijë lekë në muaj, për ata të shërbimeve deri në 70 mijë lekë, ndërsa më mirë shpërblehen agjentët e shitjeve në terren deri në 180 mijë lekë në muaj.

Të dhënat për pagat janë nxjerrë nga EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve.

Për ekonomistët, kontabilistët, marketingun, call center, programuesit, IT madje edhe për punët nga shtëpia, kërkesa nuk do mungojë, me paga që variojnë nga 45 mijë lekë/muaj (punë nga shtëpia), në 200 mijë lekë (programues me përvojë).

Edhe drejtues do kërkohen gjithnjë dhe ata janë më të privilegjuarit e paguarit, me kompensime mujore nga 150 mijë  e deri në 450 mijë lekë.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, pohon se “Për të bërë një parashikim për punët më të kërkuara në 2020, ne nisemi nga punët më të kërkuara në 2019 në kombinim me faktorët e pritshëm makroekonomik në 2020 dhe zhvillimet e sektorëve të ndryshëm”.

Gjatë vitit 2019 kërkesat më të mëdha kanë qenë për 3 kategori kryesore:

Punonjës krahu– punonjës që punojnë nëndërtim, në projekte të mëdha infrastrukture si shtrirje tubacionesh, tunele, fasoneri, rrobaqepësi, etj.

Punonjës shërbimi–hoteleri, restorante, dyqane, shitje me pakicë, shërbim klienti, etj.

Punonjës shitjesh në terren– shitës biznes me biznes (B2B), në shitje të produkteve ushqimore, elektronike, farmaceutike, medikamenteve dentare, produkteve të sigurisë, shërbimeve financiare, etj.

Pagat për këto kategori ne 2019 dhe pritshmëria për në 2020 është si më poshtë:

Këto qenë 3 kategoritë më të mëdha të punësimit gjatë 2019, të cilat bëjnë edhe numrin më të madh të të punësuarve, thotë Pashaj.

Ai thekson që në të 3 këto kategori, aty ku kërkohet sado pak aftësi apo njohuri, po vërehet edhe vështirësi për të gjetur punonjës.

Për punonjësit e krahut pritet dhe rritja më e madhe e pagave, me 15-30%.

Profesione të tjera

Përtej këtyre kategorive, kërkesa në 2019, që pritet të vazhdojë edhe në 2020, sipas EPC, është për pozicionet më poshtë:

Profile teknologji informacioni (kryesisht profile zhvillues software/programues) – kompani të huaja kryesisht brenda, por dhe jashtë vendit.

Financë & Kontabilitet – nga nivelet e specialistit në nivele drejtuese.

Burime njerëzore (rekrutues-trajnues-zhvillues karriere dhe stafi – administrues i dokumentacionit të burimeve njerëzore)–nga niveli i specialistit deri në nivel drejtues departamenti.

Marketing (tradicional-dixhital-media sociale, etj.) – nga niveli specialist deri në nivel drejtues.

Call center – operatorë të shërbimit ndaj klientit në gjuhët: Gjermanisht, Italisht, Anglisht, Suedisht, Holandisht, Polonisht, etj.

Punë nga shtëpia– kryesisht profile shitjeje nga telefoni, punë administrative-koordinuese, asistent financier& kontabilist, profile designer, etj.

Logjistike–magazinier/supply chain/import-eksporte, dogana, etj (nivele kryesisht specialist)./AgroWeb.org

 

Burimi: Revista Monitor