Pse Domatja Shqiptare Është Më e Kërkuara në Tregjet Evropiane

765 0

Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare po konkurrojnë në tregjet e huaja me cilësinë e lartë dhe çmimet e ulëta në krahasim me prodhimet bujqësore të  vendeve të tjera të rajonit, por edhe Europës.

Ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shprehen se domatet shqiptare eksportohen në vendet europiane dhe të rajonit, me çmim mesatar më të ulët se çmimi i 20 eksportuesve më të mëdhenj në botë.

Ndërkohë që Italia është vendi më i shtrenjtë për eksportin e domateve mes vendeve më të mëdha eksportuese.

Sipas ekspertëve një arsye tjetër e kërkesës së shtuar të tregjeve të huaja, për domatet shqiptare është edhe cilësia e eksportit.

Shqipëria, në pjesën dërrmuese eksporton për subjekte të ndërmjetme që i përdorin për t’i përpunuar në formë salce.

Në vitin 2018 Shqipëria arriti të eksportonte plot 30 milionë dollarë domate, pothuajse ekskluzivisht në vende të Bashkimit Europian, sipas ATSH.

Sot në vendin tonë janë rreth 1500 ha serra në gjithë territorin e vendit që kanë produktet e para domate që dalin shpejt në treg.

Ndërsa ulja e TVSH-së për inputet bujqësore, dhe politikat lehtësuese fiskale dhe mbështetja me financime ka rritur interesin për të prodhuar produkte bujqësore cilësore dhe në sasi në rritje.

Vlerat e domates

Domatet janë të njohura për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve.

Vetë pigmenti karotenoid është sipas shkencëtarëve tepër i rëndësishëm për shëndetin e kockave.

Domatet janë një burim i jashtëzakonshëm i Vitaminës C dhe Vitaminës K.

Ajo është bujare në përmbajtjen e potasit, magnezit, fibrave, vitaminës A, B6, folatit, Vitaminës E, fosforit, kromit, proteinave, zinkut dhe hekurit.

Domatet të bëjnë mirë për zemrën, ulin kolesterolin dhe trigliceridet.

Studime të shumta kanë treguar që domatja është e shkëlqyer në mbrojtjen e zemrës. Kjo jo vetëm prej vlerave antioksidante por edhe për faktin që rregullon yndyrnat në qarkullimin e gjakut.

Sezoni i Domates

Të pyetur nga AgroWeb.org, specialistët thonë se është krejt normale të pasurit e domates gjatë gjithë vitit. Më poshtë ju paraqesim shkurtimisht kalendarin e mbjelljes dhe vjeljes.

Në Janar nis mbjellja e farave të domates në sera. Serat japin prodhim në periudhën Prill-Shtator. Në periudhën Prill-Qershor kemi domate nga Serat e Lushnjes, Fierit Beratit.

Në Gusht-Shtator kemi kryesisht domatet e Korçës.

Në Mars nis mbjellja e domateve në fushë, që japin prodhim në periudhën Qershor-Gusht.

Gjatë muajit Korrik kemi një mbjellje të sezonit të dytë në sera. Këto domate japin prodhim në periudhën Tetor-Shkurt.

Specialistët sigurojnë se, nëse plehërimi dhe spërkatja bëhen sipas parametrave të duhur, shija dhe vlerat e domates janë të një niveli shumë të lartë. Kjo falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri./AgroWeb.org