Psikiatri apelon kujdes psikologjik për personelin shëndetësor gjatë pandemisë

345 0

Neli Demi, mjek pskiatër tha për Euronews Albania se përveç ekspozimit të madh që mjekët e vijës së parë kanë ndaj COVID-19, problem është dhe mënyra e përjetimit personal gjatë përballjes me virusin.

“Personeli shëndetësor është pjesë e popullatës. Ata kanë familjet e tyre dhe jetët e tyre. I duhet të përmbushin edhe përgjegjësitë e tjera të cilat janë pjesë e të përditshmes dhe kjo situatë ka krijuar një ngarkesë të jashtëzakonshme shtesë mbi ta si individ pa përmendur këtu dhe ngarkesën e situatave problematike në punë”, u shpreh Neli Demi, Mjek pskiatër.

Teksa e cilësoi si normal përjetimin me stres të kësaj periudhe, psikiatri përmendi disa faktorë që mund të ndikojnë në gjendjen emocionale të personelit shëndetësor siç janë frika për jetën e tyre, të familjarëve apo kolegëve dhe presioni i shtuar i punës apo oraret e zgjatura.

Neli Demi pohoi se nga mjekët në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm të cilët kanë pasur nevojë për ndihmë specifike. Mjeku nuk nguroi të bënte një thirrje që për mjekët të kujdesen njësoj si për marrjen e vaksinave ashtu dhe për të ofruar një kujdes nga ana e mirëqenies psikologjike.

Ndërkaq Erlinda Ziko, psikologe e zhvillimit dhe edukimit që punon dhe jeton në Itali tha se ky është vendi ku mjekët janë prekur më shumë nga COVID-19.

Sipas saj në fazën e tretë të pandemisë situata është disi më në kontroll sidoqoftë pohoi se nga kontakti që ka pasur vazhdimisht me mjekët vihet re se kanë kaluar simptoma depresioni, ankth dhe deri në sindromë post traumatike.

:Nëse në fazën e parë ata quheshin heronj në fazat e tjera shpesh janë akuzuar për faktin se nuk kanë bërë mjaftueshëm kështu që dhe ndjenjat e fajit dhe pafuqisë për të ndihmuar pacientët janë shumë prezentë te personeli mjekësor”, pohoi Erlinda Ziko, Psikologe e zhvillimit dhe edukimit./Burimi:Euro News