Shkodra është një nga qytete e Shqipërisë me nivel të lartë të papunësisë. Në këto kushte, një pjesë e banorëve, kryesisht gratë dhe vajzat, po shfrytezojnë traditën e pasur të qytetit në fushën e artizanatit, për t’u vetëpunësuar dhe mbështetur ekonomikisht familjet e tyre.
Artizanja Margarita Nikaj dhe vajza e saj Iris kanë dalë në qendër të qytetit të Shkodrës për të ekspozuar dhe shitur punimet e tyre të dorës. Margarita thotë se është vetëpunësuar duke punuar në shtëpi çanta dore për gratë dhe se, megjithë vështirësitë, ajo ka nxitur edhe vajzën e saj 17 vjeçare të futet në rrugën e artizanatit.
Në Shqipëri është e vështirë të merresh me artizanat, pasi nuk ka ndonjë vlerësim të madh. Edhe ndihmë nuk ka, Çdo gjë që bëhet, bëhet me forcat tona. Nuk ka as ndihmë nga shteti. Kjo është vetëm me forcat dhe mundësitë që kemi vetë”.
Margarita thotë se, në qendisjen e çantave, ajo përdor motive popullore të traditës, por edhe motive të kohës. Përveç çantave me qendisje, ajo punon edhe çanta me grep, të cilat pëlqehen më së shumti nga vizitorët e huaj.
“Më shumë këto çantat e thesit merren prej të huajve, janë më antike dhe ata i pëlqejnë më shumë, sidomos kur janë edhe me motive. Kurse çantat me grep janë më moderne. Ka edhe çanta që janë në bazë të ngjyrave, si për Vit të Ri apo për Krishlindje dhe që kanë ngjyrë të kuqe”.
Edhe prindërit e Margaritës kanë punuar si artizanë, ndaj ajo pëlqen që vajza e saj të ndjek këtë rrugë. Ndërkohë, Irisi thotë se, çdo njeri duhet të ketë një motiv në jetë dhe se pasioni për pikturën dhe artizanatin është mënyra se si ajo dëshiron të shohë vehten e saj.
“E kam nis thjeshtë për pasion, pasi pata dëshirë për të bërë diçka të veçantë, me shpreh talentin tim. E zbulova që 12 vjeçe. Dhe vendosa me ba diçka të veçantë për vehte dhe për të frymëzu të tjerët”.
Ndryshe nga nëna e saj, Irisi pëlqen të pikturojë gurët, poçet dhe pjatat e dheut, shishet plastike dhe ato të qelqit. Pjesa më e madhe e punimeve të saj pasqyrojnë motivet dhe simbolet kombëtare, që pëlqehen kryesisht nga turistët që vizitojnë qytetin.
Shkodra është një ndër qytetet me nivel të lartë të papunësisë. Ndaj artizanati në shtëpi shikohet nga shumë banorë, kryesisht nga gratë dhe vajzat, si një mundësi për t’u vetëpunësuar dhe për të mbështetur ekonomikisht familjet./Burimi: VOA