Rreziku Që Vjen Nga Sëmundjet e Patrajtuara Pritet Të Rritet Në Muajt Në Vijim

370 0

Mjekët dhe infermierët janë të angazhuar në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, ndërkohë që pacientë të tjerë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme po marrin shërbime të kufizuara, gjë që sipas Wall Street Journal po shkakton një valë vdekshmërie tjetër.

Në Nju Jork, mjekët kanë raportuar një ulje drastike në trajtimin e rasteve të atakut në zemër në spital prej 90 përqind por edhe një rritje të rasteve të atakut kardiak të njerëzve të mbyllur në shtëpi.

Në Milano dhe në Madrid ky nivel ka zbritur nga 70 në 80%.

Të Sëmurët Rrijnë Larg Spitaleve Por Po Vdesin Në Shtëpi

Çfarë po ndodh me të sëmurët? Ekspertët e fushës së mjekësisë thonë se njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tjera po qëndrojnë larg spitaleve nga frika e koronavirusit por po vdesin në shtëpi.

Në Itali, shifrat e vdekshmërisë janë tepër të larta. Një studim i Corriere della Seras zbuloi se vdekjet që i atribuohen drejtpërdrejtë koronavirusit përbëjnë çerekun e shifrave totale të vdekshmërisë.

Të tjerët besohet se po humbasin jetën si pasojë e mungesit të duhur mjekësor.

Muajin e shkuar niveli i vdekshmërisë në Spanjë u dyfishua dhe në pjesën më të madhe për shkak të sëmundjeve që nuk kanë lidhje me koronavirusin.

Kur Afrika u përball me epideminë e Ebolës në vitin 2014, numri i vdekjeve arriti në 11, 315.

Mungesa e kujdesit shëndetësor, HIV/AIDS dhe tuberkulozi i morrën jetën 10,600 njerëzve të tjerë në të njëjtën kohë.

Është mëse e natyrshme që njerëzit t’i frikësohen spitaleve sepse gjasat e infektimit atje janë tepër të larta.

Çfarë Duhet Të Bëjnë Pacientët e Sëmurë?

Wall Street Journal këshillon që njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti nuk duhet të shkojnë në spital por të kryejnë konsulta të vazhdueshme me mjekun nëpërmjet telefonit.

Urgjencat serioze duhen trajtuar në spital patjetër. Për muajt në vijim, ekspertët parashikojnë një rritje të përshkallëzuar të vdekjeve jo si pasojë e koronavirusit në botë. Një pjesë e tyre do të jenë prej sëmundjeve kronike, të tjera si pasojë e vetëvrasjes, mbidozës nga droga, por edhe shkaqeve ekonomike dhe psikologjike.

E vërteta e hidhur është se shifrat zyrtare të vdekshmërisë nga koronavirusi nuk do të ofrojnë kurrë një tablo të plotë të shkatërrimit që po shkakton koronavirusi. /AgroWeb.org