Pandemia e COVID-19 e ka vënë gjithë botën në provë, duke imponuar një distancim social, që ka bërë të rivlerësojmë zakonet e përditshme, nga shtrëngimi i dorës, aktivitetet e ndryshme në grupe, mënyra si argëtohemi e deri tek akti i thjeshtë i hapjes së një dere.

Kjo për shkak se virusi përhapet përmes afërsisë fizike: kontakti i drejtpërdrejtë midis njerëzve (shtrëngime duarsh, puthje dhe përqafime), kollitje, apo edhe prekja e objekteve me pikat e kontaminuara.

Shuma e të gjitha këtyre kontakteve formon një rrjet të madh dhe dinamik – ashtu si Facebook harton ndërveprimet tona sociale në internet.

Shkëputja ose dobësimi i këtij rrjeti të gjerë është qëllimi kryesor i masave për distancimin shoqëror, në të gjithë botën.

Deri tani, këto masa ia kanë dalë të ngadalësojnë përhapjen dhe të frenojnë jetët e humbura, megjithëse duket se ende jemi në gjysmë të rrugës.

Gjithsesi, pas rreth dy muajsh në izolim, shtetet, kush më shumë e kush më pak, po përgatiten për një strategji graduale daljeje nga izolimi.

Në dilemën mes ruajtjes së shëndetit dhe moskalimit të ekonomisë në kolaps, duket se po kërkohet një e mesme e përpjesshme.

Dy janë elementet kryesore në këtë dalje.

Së pari, testimet dhe gjurmimet e kontakteve janë thelbësore për mbajtjen e virusit nën kontroll.

Shtetet, që nuk arritën të investojnë sa duhet në këtë pikë, rrezikojnë që të kthehen në pikën e nisjes, me një të rënë të lapsit.

Dhe rreziku i një vale të dytë do të kishte pasoja më të mëdha sesa i pari, pasi do ta gjente ekonominë e çdo vendi shumë më të dobësuar dhe qeveritë me municione të mbaruara “për të luftuar” armikun e padukshëm.

Së dyti, ajo për të cilën po flitet gjithnjë e më shumë është normaliteti i ri.

Asgjë nuk do të jetë më si më parë, të paktën në një afat të mesëm, apo për sa kohë që nuk do të ketë një vaksinë.

Jeta, ashtu siç e njohim sot, gradualisht do të zëvendësohet nga një botë tjetër.

Një botë ku njerëzit janë më të kujdesshëm, do të ruajnë distancat, duke ndryshuar tërësisht mënyrën se si ndërveprohet sot, si në punë, ashtu dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Për shumë kohë, jeta do të vazhdojë të kufizohet dhe ekonomitë do të mbeten të ndrydhura.

Edhe Shqipëria do të jetë e detyruar që t’i përshtatet këtij normaliteti të ri.

Fatkeqësisht, për vetë strukturën e ekonomisë sonë, jemi të dënuar që në nisje dhe virusi vetëm sa do ta nxjerrë në pah sëmundjen nga e cila vuanim prej kohësh.

Rreth 17 mijë biznese në vend, ose 16% e totalit, janë bare e restorante, pjesa më e madhe e të cilëve janë të destinuar të falimentojnë.

Në total, rreth 93 mijë biznese (nga 107 mijë në total) janë me 1-4 të punësuar, sipas të dhënave të INSTAT.

Rreth 83% e tyre janë në tre sektorë, tregti, shërbime dhe akomodim ushqimor, që do të përjetojnë metamorfozën më të madhe nga normaliteti i ri i përshtatjes me COVID-19.

Hapja e një bari, e një dyqani poshtë lagjes, e një njësi tregtimi veshjesh, e një parukerie, apo shërbimi tjetër ka qenë forma që ka gjetur gjithsesi për të mbijetuar.

Shqipëria është një ekonomi konsumi dhe pikërisht konsumi do të jetë i pari që do të goditet, me individët që, duke pasur më pak të ardhura në dispozicion, do të kryejnë vetëm shpenzimet minimale.

Këto biznese kanë probabilitet më të lartë të selektohen, duke rrezikuar një krizë sociale.

Në ndërmarrjet e vogla ka gjithsej rreth 150 mijë të punësuar, ose një e treta e totalit.

Edhe sektori i industrisë përpunuese, një tjetër punësues i madh në vend, me rreth 106 mijë të punësuar, gjysma e të cilëve në tekstile e këpucë, është tepër i brishtë, teksa ka si avantazh kryesor vetëm koston e lirë të fuqisë punëtore.

Ndërtimi është sektori tjetër me peshë në ekonomi, por kanalizimi i parave vitet e fundit në apartamente nuk sjell asnjë shërim sot.

Teknologjia e Informacionit (IT), biznesi i së ardhmes dhe i vetmi që do të mund të lehtësonte pak sëmundjen, kontribuon vetëm 0.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Jo më kot Serbia, një model rajonal për zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit, ku IT zë rreth 6% të PBB-së pritet të ketë recesionin më të lehtë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me këtë strukturë të ekonomisë që kemi dhe që do të goditet veçanërisht në shërbime, e meqë nuk prodhojmë gjë në vend e me të rinjtë që nuk gjejnë mundësi për të punuar e për të jetuar në vend, a rrezikojmë të kemi edhe një valë tjetër largimesh sapo të ketë një hapje kufijsh me botën e Europën, ashtu si shumë të rinj e kanë gjetur këtë rrugë gjatë viteve të fundit?

Vaksina për ekonominë shqiptare do të jetë edhe më e vështirë për t’u gjetur, se ajo për luftimin e infeksionit.

Sëmundja që e kemi neglizhuar prej kohësh ka gërryer bizneset dhe do të duhet një kurë shumë e fortë për t’u përshtatur me normalitetin e ri./Burimi:Monitor