Receta e Shijshme e Aktores së Famshme, Sofia Loren

217 0

Sofia Loren është padyshim ndër aktoret më të njohura botërore, fama e së cilës sigurisht njihet edhe në Shqipëri.

Ajo është e njohur për pamjen e saj të mrekullueshme, plot bukuri e hijeshi ashtu si edhe filmat e panumërt.

Por Sofia Loren ka dhe një tjetër pasion, atë për gatimin, aq sa ka botuar një libër me recetat e përgatitura prej saj të titulluar: “Në Dashuri Me Kuzhinën”.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë, të marrë nga libri i recetave të Sofia Loren, recetë e cila përgatitet shumë thjeshtë dhe lehtë dhe ka një shije vërtetë të mrekullueshme.

Përbërësit

1 pulë e freskët, e majme (e prerë në thela)

2 kokrra qepë

1 filxhan çaji me salcë domateje

1 spec të madh të kuq

Kripë

Një spec i kuq djegës i vogël

3 lugë gjelle vaj ulliri

Gjysmë gote me verë të bardhë

Dy lugë gjelle me borzilok të grirë (ose majdanoz sipas dëshirës)

Përgatitja

Sipas udhëzimeve në recetën e Sofia Loren, AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni aty vaj ulliri dhe vendosni copat e thelave të pulës, skuqini nga të dyja anët dhe më pas largojini në një enë tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë, shtoni aty qepët e grira hollë, bashkë me specin e kuq të grirë hollë.

Kaurdisini të gjitha bashkë derisa volumi qepëve të bjerë dhe qepët të marrin një ngjyrë transparente.

Shtoni më pas verën e bardhë, kripën dhe specin djegës. Lërini të ziejnë derisa vera të avullojë për disa minuta.

Në momentin që vera nis të avullojë pulën kthejeni nga të dyja anët një ose dy herë.

Më pas, shtoni salcën e domatës, gjysmë gote me ujë, mbulojeni tenxheren me kapak, uleni nxehtësinë e dhe zjarrin dhe lëreni të ziejë në zjarr shumë të ngadaltë përreth 30 minuta derisa mishi i pulës të zbutet plotëisht.

Më pas, thelat e pulës largojini nga tenxherja dhe lërini mënjanë. Shtoni në tenxhere borzilok të freskët ose majdanoz, rriteni nxehtësinë e zjarrit dhe lëreni salcën të gatuhet edhe për 2 minuta të tjera.

Më pas, salcën hidheni sipër thelave të pulës dhe servireni menjëherë pasi konsumohet e ngrohtë./AgroWeb.org