Sallata Jeshile e Bërdicës – Varieteti Shqiptar Që Po Zhduket

893 0

 

Në zonën e Alpeve rritet një lloj i veçantë i sallatës jeshile.

Kjo barishte i përket familjes së Lattuca Sativa L, dhe në vendin tonë kultivohet prej 40-50 viteve.

Të dhënat tregojnë se fara është mbjellë fillimisht në Bërdicë të Shkodrës, nga ku ka marrë edhe emrin.

Në këtë zonë fara e bimës është trashëguar brez pas brezi e aktualisht zë rreth 20-25% të tokave të mbjella me sallatë.

Së fundmi në një studim të kryer nga Prof. Dr. Sokrat Jani dhe Prof. Dr. Fetah Elezi ky varietet është renditur si një specie në zhdukje.

Kushtet e kultivimit

Mbillet në ngastra tarraca të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura me lëndë organike, dhe me mundësi ujitjeje.

Pas përgatitjes së mirë të tokës, mbillen fidanët me kunj. Mbjellja bëhet me rreshta me largësi 25-30 cm dhe bimët në rresht 20 – 25 cm.

Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje të bimëve.

Kultivar i përshtatshëm për mbjellje në fushë. Formon kokë të madhe të ngjeshur. Ka gjethe

të mëdha, të rrudhosura e me anë të dhëmbëzuara, me ngjyrë jeshile të hapët.

Farat mbillen gjatë muajit Mars dhe Prill. Fidanët më pas kalohen në fushë në fillim të Majit.

Prodhimi fillon në mes të Qershorit. Për prodhim gjatë gjithë verës, sallata mbillet në disa duar; çdo 25-30 ditë.

Veçantitë e Sallatës së Bërdicës

Ka qëndrueshmëri të mirë sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Preferohet për konsum të freskët në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org