Shqipëri: Zjarret në male po sjellin dëme të rënda në mjedis

366 0

Në Shqipëri, vazhduan edhe sot zjarret në disa zona malore në veri dhe në jug të vendit, ku po digjen hapësira të gjera me pyje, kullota dhe pemë frutore.

Ushtria shqiptare po ndihmohet edhe nga helikopterë të ardhur nga Bashkimi Europian, por dëmet në mjedis janë të konsiderueshme, dhe ndërhyrja vlerësohet si jetike për të shpëtuar parqet kombëtare.

Situata me zjarret në malësi të ndryshme të veriut dhe jugut ende vlerësohet kritike, megjithë ndërhyrjet energjike të ushtrisë dhe zjarrfikësve.

Autoritetet bënë të ditur se zjarret janë më shumë problematikë mbi Dukatin e ri pranë parkut kombëtar të Llogarasë në Vlorë, në Thirrë mbi tunelin e Kalimashit në Lezhë, po ashtu në Munellë të Mirditës dhe në majën e Rrunës në Kukës.

“Mbi Karaburun operacionet kundër zjarreve vazhdojnë nga ajri, por më serioze është situata pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku janë vendosur një mori trupash ushtarake për normalizimin e gjendjes dhe izolimin e flakëve” – tha ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në fshatin Thirrë të Lezhës është një tjetër vatër serioze zjarri, ku ushtria vazdon punën nga toka dhe nga ajri për vënien nën kontroll të flakëve.

Zyrtarët vlerësojnë se vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit, që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Lufta me zjarret vazhdon edhe në fshatin Munellë të Mirditës, në fshatin Patalej të Lezhës, në Gjallicë të Kukësit, Vermosh të Malësisë së Madhe, Shetaj të Durrësir si dhe në fshatrat Cakran dhe Gjorgos të Fierit.

Autoritetet pohuan se 3 helikopterë po punojnë për të shuar zjarret nga ajri, dy prej të cilëve erdhën nga Bashkimi Europian.

Opozita fajësoi qeverinë për keqmenaxhim, paaftësi, shpërdorim detyre dhe korrupsion në përballimin e zjarreve.

Partia Demokratike deklaroi se qeveria po mbulon shpërdorimet me gënjeshtra dhe propagandë, sepse në fakt ka vetëm një helikopter te vetin në këto operacione.

“Korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit i ka lënë qytetarët dhe pasuritë natyrore pa mbrojtje, ndërsa punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë detyrohen të përballen me zjarrin me mjete rrethanore” – thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Për rreziet dhe dëmet e zjarreve reagoi sot edhe ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, shkroi në rrjetet sociale se “Ambasada Amerikane është e pikëlluar nga shkatërrimi prej zjarreve në jug. Ekspertët amerikanë të luftës kundër zjarreve mbërritën këtë fundjavë për të mbështetur përpjekjet e Forcave të Armatosura Shqiptare” – tha ambasadorja Kim.

Përveç kësaj ndihme, shkruan ambasadorja amerikane, nga pajisjet e USAID -it të dhuruara më parë nga ushtria amerikane duke përfshirë “kova Bambi” për helikopterë, kostume zjarrfikëse, sëpata, lopata, pajisje mbrojtëse personale, etj., po përdoren tani për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe bizneset shqiptare./Burimi:VOA