Shtohen Rastet e Sëmundjeve të Zemrës – Cilat janë Qytetet Më Të Prekura në Shqipëri

1.1k 0

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve në vendin tonë, por disa qytete shihet se kanë prevalencën më të lartë të jetëve të humbura nga simptomat kardiovaskulare.

Sipas të dhënave të INSTAT për vdekjet nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë, në vitin 2018 qytetet e Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Vlorës ishin qytetet me numrin më të lartë të jetëve të humbura (për 100 mijë banorë).

Në qytetin e Korçës numri i vdekurve nga zemra për 100 mijë banorë ishte 510 persona, më i larti në vend, i ndjekur ngushtë nga Berati, me 508 jetë të humbura për 100 banorë. Siç duket Korça dhe Berati janë qarqet që vuajnë më së shumti sëmundjet që vijnë nga zemra e dobët.

Në krahun tjerë, qytetet që janë më pak të prekura sëmundja në fjalë janë Elbasani, Tirana , Lezha, Durrësi. Në vitin 2018 në Elbasan vdiqën nga infarkti dhe sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut 337 persona për 100 mijë banorë, më pas vjen Tirana me 347 jetë të humbura për 100 mijë banorë dhe Lezha (361), Durrësi (371).

“Zemra” po vret me shumë moshat e reja

Sipas INSTAT, në vitin 2018, vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %.

Prevalenca si te femrat ashtu dhe te meshkujt është e barabartë, me 50.2% të rasteve që ishin meshkuj.

Ndonëse në total sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë më pak persona vitin e kaluar, ka një rritje të ndjeshme të jetëve të humbura në moshat e reja, sidomos ato foshnjore (nën 1 vjeç).

Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se sëmundja vrau 20 për qind persona më shumë në moshën 0-34 vjeç, në raport me një vit më parë. Sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë vitin e kaluar 139 persona në moshë të re (0-34 vjeç) nga 115 gjatë vitit 2017.

Në 2018-n u shënuan 33 vdekje nga sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut te fëmijët nën 1 vjeç, ose 32% më shumë se një vit më parë.

Për grupmoshat 30-34 vjeç, rasti i fataliteteve ishte 30, në dyfishim në raport me 2017-n.

Ndërsa të moshuarit duket se po i mbajnë më nën kontroll sëmundjet e aparatti të qarkullimit të gjakut, me vdekjet mbi moshën 65 vjeç, që u reduktuan me 3% në 2018-n.

Shkaqet

Shkaktari kryesor i kësaj sëmundje është stili i jetesës dhe dieta ushqimore. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2018 arrti në 404 për 100 mijë banorë.

Numri i jetëve të humbura nga sëmundjet kardiovaskulare thuajse është trefishuar në tre dekadat e fundit të tranzicionit.

Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje.

Ekspertët rendisin disa arsye të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë konsumi i frutave dhe perimeve bio./Burimi Monitor