Si Të Mbroheni Nga Virusi Kur Të Përdorni Transportin Publik

207 0

Rikthimi i transportit publik shoqërohet me të drejtë me shqetësimin e higjenës dhe rrezikun nga koronavirusi.

Për këtë arsye, në këtë artikull të AgroWeb.org, do të mësoni këshillat më praktike se si të mbroheni gjatë një udhëtimi me transport publik.

Distancimi Fizik.

Distancimi fizik mund të jetë shumë i vështirë në autobuzët tanë që janë rëndom të tejmbushur me njerëz.

Sipas studimeve, hapësirat që nuk lejojnë distancim fizik, janë 35 herë më të rrezikshme për shpërndarjen e virusit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të përpiqeni fort që të ruani distancën nga pasagjerët e tjerë.

Zgjidhni Hyrjen Më Të Largët

Nëse do të merrni autobuzin, mos zgjidhni hyrjen pranë shoferit, të cilët për hir të të vërtetës janë më të rrezikuarit nga infeksioni për shkak të qarkullimit të lartë të njerëzve.

Zgjidhni hyrjen më të largët dhe ruani distancat.

Mbani Maskë

Sa herë që të jeni në një mjet të transportit publik duhet të mbani maskë dhe të mos prekni kurrësesi fytyrën, hundën apo sytë me duar të palara.

Maskat duhen mbajtur jo vetëm nga shoferi dhe faturinoja por edhe nga çdo pasagjer.

Nëse mundeni, mbani syze që të shmangni stërklat e lëshuara nga pasagjerë të tjerë.

Mos Ndërroni Ulëse

Nëse dikush pranë jush kollitet apo tështin dhe nuk mban as maskë, atëherë patjetër që duhet të ndryshoni ulëse.

Në rrethana të tjera, rekomandohet që të mos ndryshoni shpesh vend në autobuz që të minimizoni sa më shumë ekspozimin ndaj virusit dhe baktereve.

Në autobuz nuk duhet të prekni sende të tjera që preken nga pasagjerët siç janë shufrat mbajtëse, mbështetëset e sediljeve e të tjera.

Nëse mundeni, në autobuz mbani doreza një përdorimëshe të cilat sapo të zbrisni nga autobuzi mund t’i hidhni në koshin e plehrave, por jo në rrugë.

Përdorni Disinfektuesin e Duarve

Me të dalë nga autobuzi, spërkatini duart me disinfektues me përmbajtje të lartë alkoli.

Në këtë mënyrë do të minimizoni rrezikun e ndotjes dhe përhapjes së virusit në lëkurë dhe do të jeni më të mbrojtur./AgroWeb.org