Agrumet janë frutat ideale për shëndetin e njeriut.

Ato janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, por edhe i shumë ushqyesve të nevojshëm për organizmin.

Agrumet përmbajnë sheqena dhe fibër, kalium,folat, kalçium, thiaminë, vitaminën B6 e të tjerë.

Të gjithë këto përbërës forcojnë imunitetin ndaj janë një zgjedhje e natyrshme sidomos gjatë stinës së ftohtë, virozave dhe gripit.

Agrumet përfshijnë portokallet, limonët, mandarinat, qitron e shumë varietete të tyre.

Këto fruta mund të konsumohen veçmas ose të përfshihen në gatime të ndryshme, kryesisht në sallata.

Një prej tyre është sallata me agrume dhe shegë.

Ajo është ideale kur jeni vetëm dhe dëshironi një dozë të mirë vitamine C, por edhe për të gostitë e ndryshme me miq dhe të afërm.

Përbërësit:

4  agrume të larmishme e shumëngjyrëshe.

1 filxhan me shegë

Kokrra kulumbrie për zbukurim (opsionale)

Udhëzimet

Për këtë recetë mund të përzgjidhni portokalle, portokalle të kuqe, mandarina, qitro të bardhë , rozë e të kuq, limonë dhe limonë jeshil.

Larmishmëria është kryesore në këtë recetë, ndaj tregohuni dorëlëshuar në përzgjedhjen e agrumeve.

Qërojini të gjitha dhe këputini fetat e frutave një e nga një.

Vendosini në një pjatancë me rradhë sipas ngjyrave.

Hidhni sipër tyre kokrrat e shegës dhe të kulumbrisë.

Servireni duke e shoqëruar me një pije të ftohtë.

Kulumbria është një frut i të njëjtës familjes botanike ku bën pjesë edhe kumbulla. Lulet dhe frutat e bimës së egër të kulumbrisë përdoren në mjekësinë popullore.

Këto fruta kanë vlera të shumta dhe i bëjnë mirë stomakut dhe gjakut. Gjithashtu ato janë të pasura me antioksidantë.

Frutat nxisin nxjerrjen e lëngjeve me toksina nga trupi, djersitjen e rrjedhimisht largojnë papastërtitë dhe ulin temperaturën.

Kulumbria është pjesë e koleksionit shqiptar të bimëve mjekësore dhe përdoret në vend, por një pjesë e konsiderueshme e mbledhjeve të kësaj bime eksportohen nga kompanitë e bimëve medicinale.

Shega  nga ana tjetër, arrin të pengojë prodhimin e estrogjenit dhe pakëson rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit.

Studimet kanë treguar se konsumi ditor i shegës ul nivelet e inflamacionit të prostatës që hapin rrugën drejt shfaqjes së kancerit.

Studimet shkencore kanë treguar se vaji esencial i kokrrave të shegës, lëngu dhe ekstraktet e saj i detyrojnë qelizat kancerogjene të vetë shkatërrohen.

Lëngu dhe ekstraktet nuk kanë të njëjtin ndikim tek qelizat e shëndetshme.

Kjo do të thotë se duke ngrënë çdo ditë, fruti mund t’ju vijë në ndihmë në parandalimin e kancerit.

Shega ju furnizon me vitaminë C që është kaq e domosdoshme në këtë stinë gripi dhe virozash./AgroWeb.org