Si Të Përgatisni Tortën Magjike të Vitit të Ri

211 0

Festat përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për të qenë pranë familjes dhe miqve, për të ndarë gëzimet me to por edhe për t’iu dorëzuar magjisë së ëmbëlsirave.

Jo më kot, Dhjetori konsiderohet si një muaj i ëmbël sepse në këtë periudhë, njeriu bëhet dorëlëshuar kur vjen puna tek të ëmblat.

Në vazhdën e recetave të larmishme të publikuara nga AgroWeb.org, në këtë artikull do të mësoni se si të përgatisni një tortë me çokollatë për të lëpirë gishtat.

Përbërësit:

170 gramë gjalpë të shkrirë

3 vezë

2 filxhanë çaji me sheqer

2 filxhanë çaji me miell

100 gramë kakao pluhur

1 lugë çaji me sodë buke

Treçerek luge çaji me pluhur pjekës

2 lugë çaji me vanilje

1 filxhan e gjysmë çaji me qumësht

Përgatitja:

Ndizeni furrën në 180 gradë.

Merrni një tavë të rrumbullakët me diametër rreth 24 cm, lyejeni me pak vaj dhe spërkateni me miell.

Më pas, merrni një enë tjetër dhe përzieni miellin, kakaon, pluhurin pjekës dhe sodën e bukës.

Në një enë tjetër rrihni gjalpin me vezët dhe vaniljen.

Shtoni sheqerin në mënyrë graduale dhe vazhdoni përzierjen me një mikser manual për 3-4 minuta.

Ndërkohë që vazhdoni përzierjen shtoni masën me miell e kakao dhe përziejini të gjithë përbërësit deri sa të formohet një masë uniforme e butë.

Brumin e ëmbëlsirës hidheni në tepsinë e ëmbëlsirës.

Piqeni për 30 deri në 35 minuta.

Hiqeni tavën nga furra dhe lërini të ftohet plotësisht. Pasi keku i tortës është ftohur, hiqeni nga tava dhe përmes një spangoje kuzhine ose një fije peri të trashë priteni kekun në tre pjesë të barabarta duke kaluar fillin e perit apo të spangos horizontalisht përmes kekut.

Në të mënyrë do përftoni tre shtresa keku.

Për kremin e tortës ju mund të zgjidhni të preferuarin tuaj.

AgroWeb.org ju rekomandon kremin e mëposhtëm.

Përbërësit

2 filxhanë çaji me gjalpë të shkrirë pa kripë.

3 lugë gjelle me qumësht

350 gramë çokollatë të shkrirë

1 lugë e gjysmë çaji me pluhur vaniljeje

3 filxhanë çaji me sheqer pluhur

Përgatitja

Rriheni gjalpin në një enë deri sa të formojë një masë kremoze.

Shtoni qumështin, vaniljen dhe çokollatën e shkrirë dhe vazhdoni t’i përzieni të gjithë së bashku deri sa kremi të jetë i butë, pa kokrra dhe uniform.

Shtoni sheqerin dhe vazhdoni përzierjen për një minutë.

Merrni një pjatancë të madhe rrumbullake.

Vendosim shtresën e parë të pandispanjës dhe e lyejmë pa u kursyer me kremin e përgatitur, e kështu me rradhë.

Me pjesën e mbetur lyejmë të gjithë sipërfaqen e jashtme të tortës deri sa ajo të jetë e gjitha e veshur me krem./AgroWeb.org