Si Të Shmangësh Një Konflikt Për Çështjen e Maskës?

385 0

Dimri ka ardhur më stresues se kurrë teksa çdo ditë COVID-19 i merr jetën njerëzve dhe infekton qindra të tjerë.

Autoritetet në mbarë botën nënvizojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të mbajtjes së maskës për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Ndërkohë që ndodh kjo, në rrugët e Tiranës dallon rëndom tre kategori personash: ata që nuk mbajnë maskë, ata që e mbajnë shkel e shko dhe ata që e mbajnë siç duhet.

Nëse e gjen veten në kategorinë e personave që mbajnë maskë sa herë që del nga shtëpia, atëherë me siguri gjatë kësaj pandemie, mund të jesh ndikuar ose edhe reaguar ndaj atyre që nuk mbajnë maskë.

Reagimet emocionale gjatë pandemisë janë intensifikuar, thënë kjo nga dy studime të kryera pak muaj më parë në Serbi dhe Izrael.

Në Serbi, shkencëtarët analizuan reagimet emocionale të njerëzve gjatë gjendjes së emergjencës dhe identifikuan katër gjendje emocionale: shqetësim, frikë, mërzi dhe zemërim /frustrim.

Zemërimi në rritje është në vetvete një reagim i përhapur ndaj stresit dhe pandemia ka stresuar një botë të tërë.

Njerëzit janë më të paduruar, në rradhë, në punë, në bankë, në rrugë.

Ka njerëz që e përjetojnë keq faktin që disa të tjerë nuk e mbajnë maskën.

Reagime dhe përjetime të tilla kanë prirjen të nxisin konflikte dhe përballje të panevojshme, sidomos kur çështja e maskës është politizuar ndjeshëm.

Çfarë të bësh? A duhet të nisësh një debat në publik? Apo duhet të largohesh për sigurinë tënde?

Kjo është një situatë shumë e komplikuar, sipas ekspertëve.

Si Të Reagosh Ndaj Atyre Që Nuk Mbajnë Maskë

Anna Van Meter, eksperte në Institutin e Shkencës së Sjelljes në Qendrën Për Kërkime Mjekësore ‘Feinstein’ në Shtetet e Bashkuara thotë se kjo është një situatë e vështirë për këdo që është i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

“Nëse jeni dikush që i është përmbajtur të gjithave masave të higjenës dhe distancimit për hir të shëndetit tënd, familjes dhe të tjerëve, atëherë është e kuptueshme që ndiheni të rrezikuar nga ata që nuk mbajnë maskë”, thotë ajo.

Sipas Van Meter, në këto raste, perceptimi i rrezikut shton stresin dhe ky i fundit mund të nxisë mekanizmin ‘lufto ose vrapo’ që çon drejt një reagimi konfliktual.

I gjithë konflikti kryesisht nis kur dikush me maskë i afrohet dikujt tjetër që nuk mban maskë, ose kur këta të fundit tallen me ta.

Sipas ekspertes, është e pamundur të ndryshosh mendjen e dikujt që e ka ndarë mendjen tashmë mbi rolin e maskës.

Nëse ndiheni të kërcënuar, rrezikuar ose të përqeshur nga dikush në një vend publik, zgjidhja më e mirë është që të largoheni sa më parë prej tij/saj.

Nëse e ndieni të nevojshme të flisni diçka, kërkojini personit të mbajë maskën por bëjeni këtë me mirësjellje dhe jo në formë përçmuese për të shmangur çdo reagim gjaknxehtë.

Sidoqoftë, në këto kohë të vështira, ruajtja e distancës dhe largimi prej burimit të perceptuar të rrezikut është qasja më e mirë për mirëqënien tuaj emocionale.

Përse Njerëzit Nuk Mbajnë Maskë?

Jerry M.Suits, psikolog pranë Institutit të lartpërmendur, thotë se ka disa arsye përse njerëzit i bëjnë rezistencë maskës. E para mund të jetë parehatia që mund të ndiejnë njerëzit sa u duket sikur nuk mbushen me frymë. E dyta, mund të jetë edhe fakti që njerëzit duan të duken të fortë dhe mbajtja e maskës i bën të duken të dobët e disa njerëz nuk mund ta pranojnë kurrë këtë.

Arsyeja e tretë është padyshim kulturore dhe politike dhe mbajtja e maskës mund të jetë kthyer në simbol pikëpamjeje (të atyre që e shohin koronavirusin si konspiracion) apo kahu politik.

Me pak fjalë, mbaj distancën!/AgroWeb.org