Siguria ushqimore – Asgjësohen mbi 5 mijë tonë produkte ushqimore

470 0

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Sipas AKU, janë realizuar 249 inspektime dhe monitorime në bazë të fushës së veprimtarisë të planit mujor të inspektimit dhe mbi bazën e denoncimeve.

“Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 18 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit. Janë marrë 3 mostra në monitorim të produkteve ushqimore. Gjithashtu, me kërkesë të vetë subjektit, u krye procedura e asgjësimit të 5,274 tonë produkte ushqimore”, bën të ditur AKU.

Inspektorët e drejtorive rajonale përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 1019 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë monitorimit në subjekte, AKU bën të ditur se u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve. /Burimi:ATA