Një studim i mbështetur në testimin serologjik të imunitetit të popullatës, i miratuar dhe mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe i realizuar nën drejtimin e dy studiuesve të saj, akademikut Genc Sulçebe dhe prof. dr. Alban Ylli ka arritur në disa përfundime të rëndësishme lidhur me pandeminë e COVID-19 në vendin tonë.
Nga studimi ka rezultuar se deri në qershor, 6-7 për qind e popullatës në Tiranë ka fituar imunitet, çka tregon se jemi larg të ashtuquajturit imuniteti i tufës.
Situata e pandemisë është serioze dhe agresiviteti i virusit COVID-19 nuk është zbutur. Veprimi dhe përhapja e tij nuk bëjnë dallime të mëdha, midis vendeve të pasura e të varfra. Vendeve të perëndimit a të lindjes, theksohet në studimin e realizuar nga specialistёt akademikë, Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Ylli.
Në fillim u duk se midis vendeve të Ballkanit, do të kalonte me efekte të ndryshme nga vendet e Evropës.
Por kjo nuk po provohet me rëndimin aktual të situatës në Ballkan. Prandaj në kushtet e lehtësimit të lockdown-it, si dhe të lëvizjeve të konsiderueshme të popullatës në stinën e pushimeve verore, për të frenuar qarkullimin e virusit, sa me sipër, rekomandojnë:
1. Duhet të ndërpritet lehtësimi i mëtejshëm i masave që kufizojnë grumbullimet e personave dhe të dekurajohen veprimtaritë që nxisin grumbullime masive të njerëzve. Shërbimet e restoranteve dhe bareve në mjedise të mbyllura, aktivitetet shkollore në mjedise të mbyllura, aktivitete artistike dhe sportive me spektatorë në salla të mbyllura, duhet të vijojnë të mbeten të ndaluara.
2. Të merren masa të rrepta për të siguruar mbajtjen e detyruar të maskave sidomos në mjedise të mbyllura publike, si dhe të shihet mundësia t’u sigurohen falas atyre që nuk kanë mundësi për t’i blerë ato.
3. Të përshkallëzohen aktivitetet inspektuese lidhur me respektimin e protokolleve të funksionimit të shërbimeve të tregtisë, transportit dhe industrisë.
4. Të vijohet me forma të ndryshme të ndërgjegjësimit të publikut lidhur me përshtatjen e sjelljeve vetjake për të ulur riskun nga infektimi. Fokus më i madh duhet treguar ndaj grupeve të veçanta të popullatës që shprehin rezistencë ndaj informacionit.
5. Të intensifikohet aplikimi i praktikave për mbrojtjen e grupeve me risk të lartë, sidomos të moshuarve.
6. Të inkurajohet kudo ku është e mundur puna nga shtëpia.
7. Të intensifikohen aktivitetet e testimit dhe izolimit të personave të infektuar në komunitet.
8. Të vijohet me inkurajimin e monitorimit serologjik në grupe të ndryshme të popullatës”, thuhet në studim.
Nga ky studim autorët nxjerrin konkluzionin se përhapja e imunitetit specifik ndaj Covid-19 në popullatën e qytetit të Tiranës në 3 muajt e parë të epidemisë ka qenë relativisht e kufizuar.
Ndërkohë vërehet se në qytetin e Tiranës brenda muajit qershor 2020, ka pasur një rritje më të shpejtë të përhapjes së infeksionit në komunitet, të vlerësuar në 6-7 për qind. Kjo është ende shumë larg imunitetit kolektiv të ashtuquajtur të tufës./Burim:EuroNews