Studimi britanik: Efekti i vaksinave bie brenda tre muajsh

307 0

Studimi ka nxjerrë në pah se rënia e efektshmërisë ishte më e dallueshme në moshën mbi 35 vjeç. Gjithsesi ekspertët thonë se vaksinat mbeten efektive ndaj shumicës së varianteve të COVID-19. “Dy vaksinat vijojnë të japin mbrojtje të mirë ndaj infeksionit me Delta,” – theksohet në studim.

Studimi u krye nga Universiteti i Oxfordit dhe Zyra e Statistikave Kombëtare në Britaninë e Madhe. Objekti i studimit ishte analiza e të dhënave mes dy periudhave nën pandemi, me variantin Alfa dhe Delta të virusit. Asnjëra nga vaksinat nuk u pa të ishte aq efektive kundër variantit Alfa, që u pikas për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator 2020.

Studiuesit gjithashtu thanë se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për vaksinën Moderna, e cila parashikon vetëm një dozë. Studimi gjithsesi thotë se kundër variantit Delta “një dozë e kësaj vaksine ka efektivitet të ngjashëm ose pak më të madh se një dozë e vetme e vaksinave të tjera”. Hulumtuesit nuk mundën të parashikonin se sa shpejt mund të bjerë mbrojtja nga infeksioni me kalimin e kohës.

Përfundimi i këtij studimi mbështet thirrjet për një dozë shtesë ndaj atyre që janë vaksinuar më parë me dy doza. Të mërkurën, SHBA tha se do t’u jepte dozë tjetër Pfizer apo Moderna atyre që ishin vaksinuar më parë, kjo me një periudhë prej 8 muajsh kohë. Izraeli ka nisur ndërkohë t’i vaksinojë me një dozë të tretë grup-moshat mbi 50 vjeç.

OBSH ka qortuar ngutjen e shteteve për t’u dhënë një dozë të tretë popullsive ndërkohë që shtete të tjera që nuk kanë pasur qasje në kohë me vaksinat kanë mbetur prapa me injeksionet dhe kanë miliona njerëz që nuk kanë marrë asnjë dozë. Deri më sot, sipas “Our World in Data” rreth 32% e botës ka marrë një dozë vaksine anti-COVID./Burimi:Top Channel