Subvencione Për 1458 Fermerë që Merren me Bletari

321 0
Vëllezërit Dhima në Lunxhëri të Gjirokastrës menaxhojnë prej vitesh një fermë bletësh me 150 koshere, ndërkohë që këtë vit ata janë përfitues edhe nga skemat mbështetëse të AZHBR-së.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje shembullin e këtyre fermerëve që prodhojnë mesatarisht 1 deri në 2 tonë mjaltë në vit, produkt që e shesin më pas në tregun vendas.
“Pas aplikimit në platformën e-Albania përfituan subvencionin që iu takonte. Këtë vit kanë përfituar subvencione në të gjithë vendin 1458 fermerë që merren me bletari, me një buxhet 163 milionë lekë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “plot 98% e aplikuesve në platformë kanë përfituar mbështetjen me subvencione”.
Në vitin 2013, sipas tij, “numri i përfituesve ishte 275 fermerë dhe buxheti 19.2 milionë lekë”.
Fermeri Spiro Dhima u shpreh se në parkun e bletëve në Lunxhëri ka 150 koshere bletësh. “Sivjet ka qenë një klimë jo e favorshme për bletën dhe është prodhuar më pak se vitet e zakonshme. Produktet tona janë të një cilësie të lartë.
Ky ishte një vit ku ne përfituam edhe nga subvencionet për bletarinë pranë AZHBR-së. Aplikimet për subvencionet e këtij viti ishin shumë të thjeshta, të gjitha ishin online dhe përgjigjet erdhën po online dhe morëm subvencionet tona në kohë rekord. Ne synojmë ta zgjerojmë parkun tonë me koshere të tjera.
U bëj thirrje bashkëmoshatarëve të mi që të merren me sektorin e bletarisë që është shumë fitimprurës. Shqipëria është e pasur me bimë medicinale që garantojnë një produkt cilësor jo vetëm për tregun vendas, por edhe më gjerë”, tha ai./ATSH