Ke Të Sëmurë Në Familje? Ja Si Mund Të Mbrohesh

241 0

Sado të fiksuar të jemi pas higjenës apo pastërtisë në këto kohë pandemie, shmangia e ekspozimit ndaj virusit apo baktereve të tjera është e pamundur nëse një apo disa anëtarë të familjes janë të sëmurë.

Sipas mjekëve, nëse një anëtar i familjes preket nga një sëmundje infective, të tjerët do të infektohen pas tij/saj.

Përpos infektimit të banorëve, edhe shtëpia mund të mbushet me viruse e baktere duke sfiduar kështu shëndetin e të gjithëve.

Megjithatë, ekspertët listojnë disa strategji të thjeshta në zbatim për të ulur sa më shumë rrezikun ndaj një infeksioni.

Kufizoni Sa Më Shumë Kontaktet Me Të Sëmurin

Nëse është e mundur, përpiquni të kufizoni sa më shumë kontaktin fizik me të sëmurin, sidomos nëse ai/ajo tështin e kollitet gjatë gjithë kohës.

Gjithashtu, shmangni kontaktin edhe me çdo mjet apo pajisje që preket nga i sëmuri.

Anëtarët e tjerë të familjes duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj përdorimit të peshqirëve, gotave, pjatave e çarçafëve.

Nëse është e mundur, përpiquni të mos ndani të njëjtin shtrat me të sëmurin.

Mbani Maskë Dhe Lani Duart

Nëse qëndroni në një shtëpi me një të sëmurë me COVID-19, sigurohuni që ai/ajo por edhe ju të mbani maskë edhe brenda shtëpisë.

Sa i përket përdorimit të banjës, përpiquni që ky ambient të jetë sa më i ajrosur dhe i disinfektuar.

Sigurohuni të lani duart para dhe pas përdorimit të banjës dhe mbani mbyllur gjithmonë kapakun e ËC-së.

Nëse i sëmuri ka shkuar në banjë, prisni dhe mos u fusni menjëherë  dhe sigurohuni që ai/ajo ka larë duart për mbi 20 sekonda.

Pastroni Rregullisht Shtëpinë

Bakteret dhe viruset përhapen shumë shpejt, sidomos nëse i sëmuri tështin dhe kollitet shpesh.

Virusi qëndron në sipërfaqe për disa orë dhe prekja e sipërfaqeve të ndotura është e paevitueshme.

Për këtë arsye shtëpia duhet pastruar dhe disinfektuar rregullisht veçanërisht:

  • Dorezat e dyerve dhe dritareve
  • Banaku i kuzhinës
  • Rubineti i ujit
  • Çelësi i dritës
  • Frigoriferi
  • Banja

Lajini këto ambiente me ujë dhe sapun dhe më pas përdorni alkol për disinfektim.

Ajrosja e Shtëpisë

Ajrosja e shtëpisë është strategjia më e lehtë për pastrimin e ajrit nga stërklat e ndotura të lëshuara gjatë kollitjes apo tështimës.

Nëse koha e mundëson hapni dyer e dritare dhe lejoni ajrin të qarkullojë në të gjithë shtëpinë.

Përpos ajrosjes, mund të përdorni edhe pajisje që mundëson më shumë lagështi në ajër.

Frymëmarrja është më e mirë kur ajri nuk është i thatë sepse ky i fundit përthan rrugët e frymëmarrjes dhe i bën ato më të brishta ndaj viruseve.

Sipas ekspertëve, viruset kanë një nivel të lartë mbijetese në ambient me nivel të ulët lagështie.

Kur ajri është i thatë, stërklat nuk avullojnë shpejt por qëndrojnë në ajër më gjatë dhe kështu rritet predispozita e infeksionit të anëtarëve të tjerë të familjes.

Hapa të tjerë të rëndësishëm janë kryerja e vaksinës anti-grip, përdorimi i matur i suplementëve të vitaminës C , zinkut dhe D-së, gjumi i mirë si dhe kujdesi për shëndetin mendor./AgroWeb.org