Sufllaqe Me Xaxiq, Më Shumë Shije Dhe Vlera Në Kushtet e Shtëpisë

1.2k 0

Sufllaqet janë një element i kulinarisë greke që është përhapur masivisht në shumë vende të botës  përfshirë  edhe Shqipërinë.

Pite të buta të kombinuara me mish, perime e salca të ndryshme ofrojnë një shije të plotë dhe ngopëse, të cilën jo domosdoshmërisht mund ta merrni në një dyqan ushqimor.

Si Ta Përgatisni Në Shtëpi Piten e Sufllaqes

Përbërësit 

2 lugë çaji maja buke

1 lugë çaji me sheqer

160 ml qumësht

80 ml ujë i ruajtur në temperaturë ambjenti

320 gr miell gruri

1 lugë çaji kripë

1 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Bashkoni në një tas sheqerin, majanë e bukës, ujin dhe qumështin. Përzjeini të gjitha bashkë dhe lërini mënjanë për 5 minuta.

Në një tjetër tas të madh, bashkoni miellin dhe kripën dhe pasi t’i keni përzier, shtoni majanë me qumësht.

Përziejini derisa masa të njëtrajtësohet dhe më pas punojeni brumin në tavolinë ose banak.

Më pas, të gjithë brumin rrumbullakoseni dhe mbulojeni me një pecetë të pastër kuzhine.

Lëreni të pushojë përreth 40 minuta derisa masa e tij të dyfishohet.

Ndajeni brumin në 6 pjesë të barabarta dhe secilën punojeni duke i dhënë formë rrethore  me një diametër prej 20 centimetrash.

Piqini pitet në tigan nga të dyja anët dhe ndajini mënjanë.

Mbushja e Sufllaqes Me Mish Dhe Xaxiq 

Sufllaqja klasike përmban mish pule ose derri,  patate të skuqura, salcë, majdanoz e kastraveca, domate, qepë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni të gatuani mishin e qingjit dhe vicit për një sufllaqe të pasur në shije dhe vlera.

Përbërësit:

250 gramë mish qingji i grirë

250 gramë mish viçi i grirë

4 thelbinj hudhër të grirë

Gjysëm luge çaji erëzash të ndryshme

Çerek filxhan çaji qepë të grira

1 lugë e gjysmë çaji kripë

Gjysmë luge çaji piper të zi

disa feta domatesh

lakër ose sallatë jeshile.

Për salcën e xaxiqit ju duhen: 

1 filxhan çaji kos

1 thelb hudhër i grirë

1 lugë gjelle lëng limoni

1 lugë çaji kopër

Përgatitja:,

Në një tas kuzhine përzieni mishin e qingjit, viçit, erëzat, hudhrën, kripën, piperin dhe qepën.

Pasi t’i keni përzier mirë brumin e mishit ndajeni në 12 copa në formë rrethore të vogla ose të mëdha sipas preferencës.

Lërini mënjanë dhe nisni punën me përgatitjen e salcës.

Përziejini të gjithë përbërësit dhe lëreni salcën mënjanë.

Mishin kaurdiseni në zjarr nga të dyja anët deri sa të jetë i skuqur mjaftueshëm.

Mbushini pitet me mish, qepë, domate dhe lakër apo sallatë jeshile.

Hidhni sipër mbushjes salcë xaxiqi dhe servireni menjëherë. /AgroWeb.org