Të Rinjtë e Shkujdesur ‘Ushqejnë’ Rritjen Globale të Covid-19

303 0

Zyrtarët e shëndetësisë që prej muajsh tani po luftojnë me pandeminë e koronavirusit, thonë se kanë një problem të ri: të rinjtë e shkujdesur që injorojnë rregullat e distancimit social dhe vërtiten nëpër botë duke ushqyer një rritje të numrit të infektimeve.

Ndërsa autoritetet kanë hequr kufizimet mbi tubimet pas muajsh izolim dhe pushimet e verës filluan në hemisferën veriore, baret dhe klubet e natës janë mbushur plot me adoleshentë dhe të rinj.
Dhe në vendet ku këto klube janë të mbyllura, të rinjtë, thjeshtë i organizojnë vetë festat, në vende të tjera, në plazhe, parqe dhe rrugë. E këto janë shndërruar në vatra të nxehta të covid 19.

“Ju e shikoni vetë…të gjithë prekin topin, shtrëngojnë duart ose prekin të njëjtat gjëra. Unë besoj se këtu ekziston rreziku maksimal për tu prekur nga koronavirusi.

Ideja është që të ruajmë distancat, por nuk e bëjmë këtë sepse të gjithë mendojnë, duhet ta shijojmë këtë kohë vere. Dhe si rezultat bëjmë atë që kemi bërë gjithnjë, nuk tregohemi të kujdesshëm”.

Shumë nga këta të rinj thonë se ky shfrenim ishte i nevojshëm pas një periudhe të vështirë, atë të izolimit disa javor në shtëpi dhe stresit të shkaktuar nga pandemia që ka mbërthyer botën.

Por, ekspertët këmbëngulin tek nevoja e respektimit të rregullave anti covid dhe i bëjnë apel të rinjve se duhet të mësohen të jetojnë me to./Top Channel