Studimi për vaksinën e “AstraZeneca”: Ul transmetimin e Covid-19 me dy të tretat

313 0

Ndërkohë që Shqipëria pritet që të marrë 141.600 doza nga kompania AstraZeneca, studimi i fundit i Universitetit të Oksfordit thotë se kjo vaksinë ul transmetimin e virusit me dy të tretat.

Edhe pse studimi nuk është analizuar më tej nga ekspertë të fushës, për sekretarin britanik të shëndetësisë, Matt Hancock, gjetjet konsiderohen një “lajm i mirë”. “Kjo i tregon botës se vaksina e Oksfordit funksionon mirë”, deklaroi ai. Studimi vjen pas disa ditësh kritika nga vende të tjera europiane.

Disa zyrtarë janë shprehur të shqetësuar në lidhje me mungesën e të dhënave mbi efektivitetin e saj te të moshuarit.

Organi më i lartë këshillimor shëndetësor i Francës rekomandoi që vaksina të përdoret vetëm te personat nën moshën 65 vjeç.

Në Belgjikë zyrtarë të qeverisë thanë se do t’u jepte vaksinën vetëm atyre nën moshën 55 vjeç. “Nuk kemi informacion të mjaftueshëm që të themi me siguri se vaksina është e mirë për të moshuarit”, tha ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke.

Shefi i provave klinike të vaksinës së Oksfordit, Andrew Pollard, deklaroi për prestigjiozen britanike “BBC” se pavarësisht nga mungesa e të dhënave mbi nivelin e efektivitetit të saj, vaksina ofron një përgjigje të mirë imunitare te të moshuarit.

“Vaksina ofron përgjigje të mirë imunitare te të moshuarit sikurse te personat e rritur. Mbrojtja që ne shohim është saktësisht në të njëjtin drejtim e në nivel të ngjashëm”./Burimi:Panorama