Vapë apo Rreshje Shiu – Çfarë Pritet të Ndodhë në Fundjavë

464 0

Kjo është java e fundit e vapës përvëluese dhe të nxehtit afrikan.

Duke nisur nga sot, temperaturat do të pësojnë një ulje graduale duke sjellë mëngjese dhe mbrëmje të freskëta, ku vapa do të mbizotërojë rreth orëve të mesditës.

Sipas të dhënave të Meteoalb, pritet që nga dita e sotme në disa zona të vendit të ketë edhe rrebeshe shiu, të shoqëruara me rënie temperaturash dhe erëra të lehta.

“Edhe kjo javë do mbetet me temperatura relativisht të larta duke qenë se edhe masat ajrore që vijnë nga Afrika kanë përfshirë një pjesë të mirë të rajonit të Ballkanit.

Nga sot do të ketë rreshje shiu kryesisht në veri të vendit dhe në disa zona të izoluara në qendër të vendit” thuhet në një prononcim të meteorologes Lajda Porja.

Rrebeshet dhe stuhitë që kanë përfshirë europën parashikohet të prekin edhe vendin tonë por kjo situate pritet ne muajin shtator.

Çfarë pritet të ndodhë në Vjeshtë

Stina e vjeshtës megjithëse karakterizohet nga rënia e temperaturave dhe shirat e vazhdueshëm, këtë vit do të jetë më e ashpër dhe jashtë natyrës së saj.

Për muajt në vijim parashikohen stuhi të forta, shira të dendur të shoqëruar me përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Sipas BallkanWeb.com të cilit i referohet AgroWeb.org, stuhitë do të pakësohen gjatë tetorit, por shirat e dendur do të vazhdojnë me intensitet të lartë.

Reshjet më të mëdha priten gjatë muajve tetor dhe nëntor, ku temperaturat do të jenë më të ulëta se zakonisht dhe aspak karakterizuese të stinës së vjeshtës.

Vendet që do të preken

Më e prekura do të jetë Evropa Lindore, ku rrymat e ftohta të ajrit nuk përjashtojnë as mundësinë e reshjeve të dëborës gjatë këtyre muajve.

Sipas meteorologëve megjithëse vjeshta mund të fillojë me temperatura të buta në shtator, ato priten të përkeqësohen përgjatë ditëve.

Vendet më të prekura të Gadishullit Ballkanik janë ato që shtrihen në pjesën veriore të tij.

Këtu përfshihet edhe Kosova, Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia.

Nën trysninë e këtyre kushteve atmosferike do të jetë edhe vendi ynë ku temperaturat pritet të bien ndjeshëm përgjatë shtatorit./AgroWeb.org