Çrregullimet e Gjumit Pas Tërmetit – Luftoni Ankthin Duke u Kujdesur për Veten

481 0

Ankthi dhe paniku në rastet e fatkeqësive natyrore si ai i tërmetit shkatërrimtar që goditi të martën e kaluar Shqipëri është një efekt i pritshëm psikologjik.

Sidomos, për personat që kanë përjetuar intensitetin e fortë të lëkundjeve e për rrjedhoje dëmet e shkaktuara në jetët njerëzore dhe materiale gjithashtu.

Ndijesia e pasigurisë në ditët në vijim, për shkak të pasgoditjeve që ende vijojnë cilësohet nga mjekët psikologë si pjesë e ankthit dhe stresit që njerëzit në këto raste përjetojnë por që duhet të mësojnë se si ti menaxhojnë duke rigjetur qetësinë.

Ankthi dhe paniku post tërmet shkaktojnë çregullime afatgjata me gjumin

Sipas studimeve të cilave i referohet AgroWeb.org, disa nga simptomat kryesore të stresit pas tërmetit janë shkëputja e fokusit nga rutina e përditshme, ndijesia e pasigurisë, humbja e oreksit, lodhja kronike dhe pa shkak, humbja e përqëndrimit dhe të gjitha së bashku ndikojnë në çregullimin afatgjatë të gjumit.

Mjekët psikologë konfirmojnë se kjo është një gjendje që kërkon kujdes dhe është tërësisht kalimtare nëse tregohet kujdesi i duhur.

Sipas tyre, rikthimi në rutinë pas goditjes së tërmetit dhe deklaratave për uljen e aktivitetet sizmik drejt shuarjes nga ekspertët është shumë e rëndësishme për kapërcimin psikologjik të situatës.

“Tërmeti është një fenomen që nuk mund të parandalohet, por mënyra sesi duhet të menaxhohet ka shumë rëndësi. Fëmijët duhet të shohin siguri te të rriturit, del e nevojshme të ketë suport të vazhdueshmëm ndaj tyre. Fëmija pret të shohë një person të patraumatizuar.” shprehet psikologia Orjola Plaku.

Këshillat e mjekëve psikologë

  • Qendroni të përfshirë me aktivitetet e përditshme që bënit para se të shkaktohej tërmeti.
  • Bëni ushtrime fizike dhe ecje në natyrë
  • Hani vaktet e ushqimit në mënyrë të rregulltë
  • Takoni miq dhe të afërm flisni me ta dhe mendoni që kjo situatë do kalohet
  • Lexoni në lidhje me udhëzimet dhe këshillat që jepen për mënyrën se si të reagoni gjatë dhe pas një tërmeti
  • Në rastet kur ndjeni lëkundje mundohuni të ruani sa të mundeni qetësinë pa krijuar panik për veten dhe të afërmit
  • Mundohuni të mos konsumoni alkol duke e tepëruar

Në rastet kur ndjeni lëkundje gjatë gjumit mundohuni sërish të mos humbisni qetësinë, nëse jeni prind duhet të shmangni panikun tuaj tek fëmijët.

Stresi dhe paniku nxisin probleme afatgjata me gjumin. Fokusojini mendime në prioritetet e përditshme të jetës suaj

“Takoni një ekspert nëse keni probleme të ankthit, një psikolog, bisedoni për gjërat që ju shqetësojnë, nuk rekomandohet marrja e ilaceve pasi mund të shkaktojë varësi psikologjike. Meditimi, teknikat e frymëmarrjes, ecja në natyrë janë disa gjëra që duhet të bëni për të menaxhuar ankthin post tërmet. Duhet të frekuentoni vende që juve ju pëlqejnë të shkoni, ta ndani me të tjerët ndjesinë tuaj” shprehet në “Rreze Dielli” psikologia Oriola Plaku për mediat./AgroWeb.org