Depresioni tek Meshkujt – Sëmundja që Shteron Shpirtin dhe Fik Jetën

1.5k 0

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se rreth 1 në 4 shqiptarë preken nga depresioni të paktën një herë në jetë.

Moshat e prekura nga simptomat e depresionit janë nga 20-55 vjeç.

Për një kohë të gjatë, depresioni në vendet postkomuniste siç është edhe Shqipëria, konsiderohej me pa të drejtë si dobësi e karakterit, sidomos tek meshkujt.

Një dokument i ISHP-së mbi përhapjen e depresionit në vend, nënvizon faktin se ajo është shumë herë më dërrmuese në mesin e të rriturve në Shqipëri, për vetë faktin se njerëzit nuk flasin për të dhe nuk marrin trajtimin e duhur.

Ky dokument tregon se rreziku i depresionit është më i lartë mes femrave, por nuk mbeten pas as meshkujt.

Si manifestohet depresioni tek të dy gjinitë

Gratë dhe vajzat e prekura nga depresioni kanë simptoma të ndryshme.

Në vija të përgjithshme ato përjetojnë trishtim, mërzi, të qara dhe kaplohen nga ndjenja tejet negative.

Meshkujt nga ana tjetër, ndonëse mund të kenë rënë në dëshpërim, nuk e shprehin dot lehtë trishtimin dhe mërzinë.

Meshkujt e tregojnë depresionin nëpërmjet zemërimit, irritimit dhe agresivitetit.

Ata janë implusivë, apatikë, kanë vetëvlerësim të ulët, fajësojnë gjithmonë të tjerët, izolohen nga shoqëria.

Meshkujt që bien në depresion, kanë një nevojë të madhe të jenë nën kontroll të gjërave.

Ata mund të kenë edhe tendencën të konsumojnë lëndë narkotike, të luajnë bixhoz dhe të tregojnë një sjellje të rrezikshme seksuale.

Të gjitha këto simptoma shërbejnë si mburojë për trishtimin e brendshëm.

Përjetimi i depresionit tek të dyja gjinitë bashkohet nëpërmjet disa simptomave të përbashkëta siç janë: mungesa e energjisë, përqendrimi i dobët dhe humbja e interesit.

Ndikimi i depresionit tek trupi i një mashkulli

Çrregullimet me humorin nuk janë vetëm një problem emocional. Ndikimi fizik është i fortë.

Meshkujt që bien në depresion, ankohen më shpesh për dhimbje koke, probleme me tretjen dhe dhimbje të tjera të trupit.

Depresioni prek direkt fjetjen dhe ushqyerjen.

Përpos të tjerave, meshkujt e kanë të vështirë të diskutojnë për çështje emocionale dhe kanë më pak gjasa të kuptojnë efektet fizike të depresionit.

Si trajtohet depresioni tek burrat dhe djemtë?

Një mashkull vështirë të kërkojë trajtim mjekësor për depresionin.

Këtu hyn në lojë, familja, bashkëshortja, fëmijët dhe miqtë, të cilët duhet ta mbështesin dhe ta inkurajojnë.

Një nga këshillat bazë në diskutimin e çështjes me një mashkull të dëshpëruar është që të mos përmendet fjala ‘depresion.’

Këshilla e dytë është që duhet të keni shumë durim dhe të jeni inkurajues.

Mbi të gjitha, duhet të jeni dëgjues të mirë, ta ndihmoni të ushqehet mirë, të kryejë aktivitet fizik dhe të angazhohet në shoqëri.

Vendosni objektiva ditorë që mund të arrihen lehtë dhe ndihmojeni t’i arrijë ato.

Lëni një takim tek një mjek, me të cilin një mashkull e ka më të lehtë të diskutojë për simptomat fizike të depresionit.

Kini kujdes. Meshkujt e prekur nga depresioni janë shumë herë më të prirur të kryejnë vetëvrasje.

Gratë përpiqen, ndërsa meshkujt ia arrijnë

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2016, numri i vetëvrasjeve prej depresionit në vendin tonë arriti në 235./AgroWeb.org